Jo vetëm shpërndarja e drogës, por edhe investimet në biznese. Grupet shqiptare po bëhen një prani e rëndësishme ekonomike në Venecia, duke ngritur dyshime për përdorimin e kapitaleve që mund të burojnë nga trafiku i narkotikëve. Kështu shkruan media italiane “Il Gazzettino”, në një artikull ku trajton shtrirjen e rrjeteve kriminale shqiptare në rajonin e Venetos dhe vështirësitë e autoriteteve për t’i goditur ato.
Sipas medias italiane, prej vitesh grupet shqiptare menaxhojnë tregtinë me shumicë të lëndëve narkotike, veçanërisht të marijuanës dhe kokainës, ndërsa shpërndarjen në rrugë ua besojnë kryesisht shtetasve tunizianë. Drejtuesit e këtyre rrjeteve, sipas artikullit, qëndrojnë zakonisht jashtë Italisë, çka e bën më të vështirë goditjen e organizatave nga autoritetet.
E njëjta mënyrë veprimi, sipas “Il Gazzettino”, përdoret edhe nga mafia nigeriane, e cila kontrollon shpërndarjen e heroinës në tri zonat kryesore të Venetos: Mestre, Padova dhe Venecia. Drejtuesit e saj mbajnë kontaktet nga jashtë vendit, ndërsa në terren veprojnë shpërndarësit e nivelit të fundit të zinxhirit.
Arrestimet në Tiranë dhe Dubai
Artikulli sjell si shembuj dy operacione të zhvilluara gjatë vitit 2026 nga Drejtoria e Policisë së Venecias, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
Në një prej tyre, policia italiane, në bashkëpunim me Policinë Shqiptare dhe Interpolin, arrestoi në Tiranë një 45-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim që prej vitit 2022. Sipas hetimeve, ai drejtonte një rrjet të specializuar në importimin e kokainës në tregjet e drogës në Venecia.
Në një tjetër operacion, një 39-vjeçar shqiptar u arrestua në Dubai. Ai ishte në kërkim prej shtatë vitesh dhe dyshohej se drejtonte një organizatë kriminale aktive në Mestre, Noale, Scorzè, Noventa di Piave dhe Jesolo.
Ndërkohë, në provincën e Venecias, artikulli përmend arrestimin nga Guardia di Finanza në Spinea të një 21-vjeçari shqiptar, të cilit iu gjetën dy pistoleta dhe rreth 370 gramë lëndë narkotike. Një tjetër operacion i rëndësishëm u zhvillua në zonën Frari, në qendrën historike të Venecias, ku policia zbuloi dhe çmontoi një bazë për paketimin e kokainës. Në këtë rast u arrestua një shtetas shqiptar rreth 30 vjeç dhe u sekuestrua pothuajse një kilogram kokainë.
“Deti po zbrazet me një kovë”
Sipas medias italiane, pavarësisht operacioneve policore, sasitë e mëdha të drogës vazhdojnë të qarkullojnë në Mestre, Padova dhe Verona, ku një pjesë e konsiderueshme e saj kalon përmes rrjeteve shqiptare.
Artikulli kujton gjithashtu aktivitetin e një familjeje shqiptare në lagjen Carpenedo të Mestres, e cila për vite me radhë dyshohet se kontrollonte tregtinë e drogës në zonën e parkut Bissuola dhe më pas e shtriu aktivitetin në të gjithë qytetin. Specialiteti i saj ishte marijuana, e kultivuar në Shqipëri, dhe kokaina.
Duke iu referuar raporteve të fundit të Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) dhe Drejtorisë së Antimafias së Distriktit (DDA) në Venecia, media i përshkruan grupet kriminale shqiptare si organizatat e huaja më të fuqishme në rajonin e Venetos, me aktivitet të përqendruar kryesisht në trafikun e narkotikëve dhe me aftësi të theksuara organizative e sipërmarrëse.
Një nga arsyet që e vështirëson punën e policisë, sipas artikullit, është struktura e këtyre grupeve, të cilat nuk funksionojnë si një organizatë e vetme hierarkike, por si federata familjesh, të lidhura përmes marrëdhënieve të gjakut. Në zhargonin e tyre, këto struktura quhen “Fis” dhe përbëhen nga familje të zgjeruara ose klane me origjinë nga i njëjti qytet, lagje apo bërthamë familjare.
Në krye të klaneve qëndron një drejtues, i quajtur “Krie”, i cili në disa raste ka edhe një zëvendës, të njohur si “creetar”. Sipas përshkrimit të medias, drejtuesit i mbajnë bazat në vendin e origjinës, ndërsa lidhjet brenda klanit mbështeten te Kanuni dhe besa.
Përveç barrierave gjuhësore dhe përdorimit të programeve të enkriptuara për komunikim, këto lidhje familjare e bëjnë të vështirë depërtimin e policisë në organizata. Edhe kur arrestohet një anëtar, hetuesit mund të arrijnë të godasin një grup të caktuar, por jo domosdoshmërisht të zbulojnë drejtuesit në nivelet më të larta.
Dyshimet për pastrimin e parave përmes bareve dhe restoranteve
Një tjetër shqetësim i ngritur në artikull lidhet me hyrjen e kapitaleve shqiptare në ekonominë e Venecias. Sipas një hetuesi të cituar nga “Il Gazzettino”, në qendrën historike të qytetit një familje shqiptare po blen bare dhe restorante.
Pagesat, sipas tij, kryhen përmes transfertave bankare nga Tirana drejt Venecias. Hetuesi ngre dyshimin se këto para mund të jenë të ardhura nga aktiviteti i trafikut të drogës në Venecia.
Si shembull përmendet edhe Verona, ku hetimet e fundit të DDA-së kanë zbuluar se klanet shqiptare përdorin kompani fiktive për të fshehur blerjen e komplekseve të pasurive të paluajtshme, apartamenteve që jepen me qira dhe aktiviteteve tregtare.
Sipas artikullit, shumat e konsiderueshme që këto organizata janë në gjendje të investojnë rrezikojnë të krijojnë një presion të madh mbi ekonominë lokale.
Media italiane thekson gjithashtu se në Veneto grupet shqiptare bashkëjetojnë me organizatat historike mafioze italiane, veçanërisht me ‘Ndranghetën’, e cila ka ndikim në provincat e Veronës, Padovës dhe Viçencës, si dhe me Camorrën në pjesën lindore të provincës së Venecias.
Duke iu referuar DIA-s, artikulli përshkruan një partneritet mes kriminalitetit shqiptar dhe ‘Ndranghetës’, të mbështetur te interesat e përbashkëta logjistike dhe furnizimi me lëndë narkotike me çmime konkurruese.
Në përfundim, “Il Gazzettino” argumenton se përplasjet me armë dhe larjet e hesapeve, ndonëse janë ngjarje të rënda, mund të nxjerrin në sipërfaqe aktivitetin e organizatave që zakonisht përpiqen të qëndrojnë larg vëmendjes së policisë. Sipas medias, grupet shqiptare po synojnë gjithnjë e më shumë investimin e kapitaleve në biznese, veçanërisht në bare dhe restorante, si një mënyrë për të hyrë në ekonominë e ligjshme.













