Gjetja e shërbimeve dhe plotësimi i formularëve në portalin qeveritar e-Albania pritet të jenë më të thjeshta për qytetarët. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se tashmë, 19 shërbime mund të përdoren përmes asistentes virtuale Diella, që udhëzon përdoruesit hap pas hapi, nga identifikimi i shërbimit deri te plotësimi i formularëve.
Përmes një postimi, Rama iu drejtua veçanërisht prindërve dhe gjyshërve, duke theksuar lehtësinë e përdorimit të këtij funksioni të ri.
Krahas kësaj, hyrja në portalin e-Albania mund të realizohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit të këtyre opsioneve.
Për të shpjeguar mënyrën e përdorimit, kreu i qeverisë ka publikuar edhe një video udhëzuese, ku demonstron se si qytetarët mund të kërkojnë shërbime të ndryshme, përfshirë informacionet mbi pensionin, regjistrimin për herë të parë te mjeku i familjes apo procedurat në rast humbjeje të pasaportës.
Të dashur prindër dhe gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës dhe ajo ju ndihmon hap pas hapi, nga gjetja e shërbimit te plotësimi i formularëve e-Albania
19 shërbime tashmë më të lehta për t’u përdorur, ndërsa hyrja në e-Albania mundësohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit. Ndiqni udhëzimet në video dhe shikoni sa e thjeshtë është, shkruan kryeministri Edi Rama.