Merr miliona nga Mercedes, por paratë e xhepit ia kontrollon mamaja/ Historia e kampionit të “Formula 1”, Kimi Antonelli

Në moshën 20-vjeçare, piloti italian ka arritur majën e automobilizmit botëror, por në shtëpi vazhdon të trajtohet si çdo djalë tjetër. Kontrata me Mercedesin, fama dhe milionat nuk e kanë ndryshuar një rregull familjar: buxhetin mujor e administron e ëma.
Andrea Kimi Antonelli ka shkruar historinë e Formula 1, duke u shpallur kampioni më i ri i botës në historinë e këtij sporti. Më 1 nëntor 2026, piloti italian i Mercedesit siguroi titullin në Çmimin e Madh të Meksikës, duke rikthyer Italinë në majën e automobilizmit pas 73 vitesh. Megjithatë, pavarësisht famës ndërkombëtare dhe perspektivës për të ardhura marramendëse, në shtëpinë e tij ekziston një rregull që nuk ka ndryshuar: paratë e xhepit vazhdon t’ia japë mamaja, vetëm një herë në muaj.
Antonellit i mjaftonte një vend i nëntë në garën e Meksikës për të siguruar titullin, por ai shkoi përtej pritshmërive, duke e mbyllur garën në vendin e tretë, pas Max Verstappen dhe Lewis Hamilton. Në podium, i mbështjellë me flamurin italian, emocioni ishte i madh dhe lotët nuk munguan.
Titulli i tij ka një domethënie të veçantë për Italinë, e cila nuk kishte festuar një kampion bote në Formula 1 që prej Alberto Ascarit, në vitin 1953.
Një fëmijëri mes pistave dhe sakrificave familjare
I lindur më 25 gusht 2006 në Bolonjë, Kimi u rrit në një familje ku automobilizmi ishte pjesë e përditshmërisë. Babai i tij, Marco Antonelli, ka qenë pilot dhe drejtues ekipi, ndërsa nëna, Veronica Pomaro, ka punuar në Postën italiane.
Rruga e familjes nuk ka qenë e lehtë. Prindërit nuk vinin nga familje të pasura dhe pasioni për garat kërkonte sakrifica të mëdha financiare. Marco ka treguar se në një moment kishte marrë edhe kredi bankare për të përballuar shpenzimet e udhëtimit, helmetës dhe pajisjeve të nevojshme për një garë.
Kimi u rrit në pistat automobilistike, mes makinave, gomave dhe mekanikëve. Nëna kujdesej për ushqimin dhe organizimin e ekipit, ndërsa babai transportonte makinat dhe pajisjet.
Një nga kujtimet më të veçanta të fëmijërisë së tij lidhet me pistën e Hockenheimit. Kur ishte vetëm shtatë vjeç, babai e futi fshehurazi në ambientet e garës, duke e fshehur mes gomave dhe nën një çadër, pasi nuk kishte leje hyrjeje. Ishte kontakti i parë i vogëlushit me një botë që më vonë do ta kthente në kampion.
Mamaja që nuk bën përjashtime, as për kampionin e botës
Në familjen Antonelli, suksesi sportiv nuk ka ndryshuar mënyrën se si trajtohet Kimi. Nëna e tij, Veronica, preferon ta thërrasë Andrea dhe vazhdon ta përkëdhelë me nofkën “miushi im”.
Ajo është gjithashtu përgjegjëse për një rregull të pazakontë për një kampion bote: administrimin e parave të xhepit.
“Çdo muaj i kaloj një shumë parash dhe duhet t’i dalin. Kemi vendosur një buxhet dhe ai duhet të mësojë ta respektojë”, ka treguar Veronica për gazetën italiane “La Repubblica”.
Rregulli është i panegociueshëm. Nëse Kimi i shpenzon paratë përpara fundit të muajit, nuk mund të kërkojë automatikisht një shumë tjetër, edhe nëse ka plane për pushime apo shpenzime të tjera.
Për prindërit, rëndësi ka që djali të mos e humbasë lidhjen me realitetin dhe të kuptojë vlerën e parasë dhe të punës.
Veronica tregon se luksi dhe veshjet e shtrenjta nuk janë prioritet për të birin. Madje, para ceremonive zyrtare, ajo i kërkon fotografi të veshjes për t’u siguruar që është paraqitur siç duhet.
“Sikur ta linim, do të shkonte edhe në një dasmë me pantallona të shkurtra”, rrëfen ajo me humor.
Dobësia e tij e vetme mbeten makinat, pasioni që do ta shtynte të blinte vazhdimisht modele të reja, nëse prindërit nuk do t’i vendosnin kufij.
Babai që zbuloi talentin, por nuk e imagjinonte titullin botëror
Marco Antonelli ka qenë figura kryesore në formimin e Kimit si pilot. Ai e vendosi për herë të parë të birin pas timonit kur ishte vetëm një vjeç, duke e mbajtur mbi këmbët e tij.
Më vonë, në shtëpi solli një simulator garash. Babai kontrollonte pedalet, ndërsa Kimi merrej me timonin dhe marshat. Marco kujton se ndonjëherë e zinte gjumi gjatë lojës dhe i biri e zgjonte me bërryl për të vazhduar garën.
Kur Kimi ishte dhjetë vjeç, Marco e pa duke drejtuar një Lamborghini në pistën e Adrias me një aftësi të jashtëzakonshme për moshën. Aty kuptoi se djali kishte një talent të veçantë.
Megjithatë, as ai nuk e kishte imagjinuar se Kimi do të arrinte deri te titulli kampion bote në Formula 1.
Edhe pas triumfit historik në Meksikë, Marco nuk e humbi humorin dhe ironinë. Ai zbuloi se ekipi i tij sapo kishte humbur kampionatin italian GT në Mugello dhe, me shaka, pranoi se humbja e atij titulli e kishte mërzitur më shumë sesa e kishte gëzuar triumfi botëror i të birit.
Një mënyrë e veçantë për t’i kujtuar Kimit se në sport asnjë sukses nuk garanton fitore në garën e radhës.
Motra e vogël, tifozja e tij më e veçantë
Në familjen Antonelli është edhe Maggie, motra 11-vjeçare e pilotit. Ajo e adhuron vëllanë e madh, por nuk e ndan pasionin e tij për makinat. Aktiviteti i saj i preferuar është gjimnastika ritmike.
Sipas nënës, Maggie është shumë e zgjuar dhe arrin ta bindë Kimin për atë që dëshiron vetëm me disa fjalë.
Edhe ajo ishte e pranishme në Meksikë për të ndjekur nga afër momentin historik të të vëllait, e veshur me një kostum tradicional shumëngjyrësh.
Kampion në pistë, i thjeshtë në jetën e përditshme
Përtej rezultateve, Antonelli vlerësohet edhe për natyrën e tij të afërt me njerëzit. Ai ka krijuar marrëdhënie të ngrohta me mekanikët, inxhinierët dhe pjesëtarët e Mercedesit, duke mos e fshehur lidhjen emocionale me makinën e tij.
Madje, ka treguar se e puth makinën në mëngjes dhe në mbrëmje, pasi beson se edhe një objekt mund të ketë shpirt.
Sipas La Repubblica, numri 12 në makinën e tij është një tjetër simbol i rëndësishëm, pasi e lidh me idhullin e fëmijërisë, legjendën braziliane Ayrton Senna.
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm, në shtëpinë e Antonellëve jeta vazhdon pothuajse si më parë. Prindërit vijojnë aktivitetet e tyre, motra merret me gjimnastikë dhe Veronica vazhdon të kujdeset për buxhetin mujor të të birit.
Kur u pyetën se çfarë dëshirojnë që njerëzit të shohin te Kimi, Marco dhe Veronica nuk përmendën rekordet, famën apo paratë. Ata duan që ai të kujtohet si një djalë i mirë, punëtor dhe i respektueshëm, që e di se asgjë nuk arrihet pa përpjekje.
Në moshën 20-vjeçare, Kimi Antonelli ka pushtuar botën e Formula 1. Por, larg pistave dhe podiumeve, ai mbetet Andrea, djali që duhet të mësojë t’i menaxhojë paratë e xhepit deri në fund të muajit.




