Pas vrasjes së Arlindës, Prokuroria në Pejë emëron koordinator për rastet e dhunës në familje

Prokurori i shtetit Ermal Demhasaj është caktuar koordinator për rastet e dhunës në familje për një periudhë të pacaktuar. Vendimi është marrë nga ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, në kuadër të organizimit të brendshëm dhe koordinimit të punës.

Pasi u caktua në këtë pozitë me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Disha-Haxhosaj zhvilloi një takim me të gjithë prokurorët e shtetit të kësaj prokurorie. Sipas njoftimit për media, ajo u kërkoi të tregojnë përkushtim dhe vigjilencë më të madhe në përmbushjen e detyrave, veçanërisht gjatë kujdestarive, në mënyrë që çdo rast të trajtohet profesionalisht dhe në kohë.

Të lidhura

None found

Në njoftim thuhet gjithashtu se Disha-Haxhosaj u shprehu prokurorëve mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me ta sa herë që nevojitet ndërhyrja apo përkrahja e drejtuesve të Prokurorisë.

Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores u takua edhe me stafin administrativ të Prokurorisë Themelore në Pejë. Ajo kërkoi angazhim dhe intensitet më të lartë në punë, zbatim të plotë të dispozitave ligjore dhe kryerje profesionale të përgjegjësive, për të shmangur lëshimet e mundshme dhe për të menaxhuar sa më me efikasitet punët e proceset administrative.

Disha-Haxhosaj theksoi se bashkëpunimi, përgjegjësia institucionale dhe koordinimi mes të gjithë punonjësve janë të rëndësishëm që Prokuroria Themelore në Pejë të vazhdojë të përmbushë mandatin dhe detyrimet e saj ligjore.


Shtuar më 2.11.2026 10:34