Kryetarët e komunave të rajonit të Dukagjinit janë takuar në Junik me përfaqësues të institucioneve gjermane, për të diskutuar progresin dhe sfidat në përmirësimin e menaxhimit të integruar të mbeturinave në pesë komunat e rajonit.

Në takim morën pjesë Dr. Micong Klimes, zyrtar i Zyrës për Kosovën në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Kosovë, GIZ-it dhe KfW-së. Diskutimet u përqendruan në prioritetet për krijimin e një sistemi të përbashkët, më efikas dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.


Me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, përmes GIZ-it, pesë komunat kanë hartuar një Plan Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave, i cili synon të krijojë një qasje të koordinuar mes komunave dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët, shkruan Telegrafi.

Pas takimit, përfaqësuesit zhvilluan edhe një vizitë në terren në lagjen “Agim Ramadani” në Junik, ku panë nga afër zbatimin e iniciativave të parapara në planin ndërkomunal.

Projekti synon të përfshijë më shumë familje në ndarjen e mbeturinave që në burim, duke nxitur përgjegjësinë qytetare dhe duke kontribuar në krijimin e lagjeve më të pastra dhe një mjedisi më të qëndrueshëm.

Bashkëpunimi ndërmjet pesë komunave dhe institucioneve gjermane synon që menaxhimi i mbeturinave të mos trajtohet vetëm si përgjegjësi individuale e secilës komunë, por si një sistem i përbashkët rajonal, me planifikim dhe koordinim më të mirë./Telegrafi/