Bota

Alarm portokalli për motin e keq në Itali!

Italia është përfshirë nga një përkeqësim i ndjeshëm i kushteve atmosferike, me autoritetet që kanë dhënë alarmin portokalli për rajonet e Pulias dhe Bazilikatës, për shkak të reshjeve të dendura, stuhive dhe rrezikut hidrogjeologjik.

Departamenti i Mbrojtjes Civile lëshoi edhe alarm të verdhë për pesë rajone të tjera: Kalabrinë, Kampanian, Molisen, Abruzon dhe Siçilinë.

Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e shiut dhe stuhitë kanë nisur që në orët e para të së hënës, duke përfshirë gradualisht një pjesë të madhe të territorit italian. Situata pritet të jetë veçanërisht problematike në Bazilikatë, si dhe përgjatë shpateve lindore të Apenineve në Abruzo dhe Molise.

Përveç reshjeve intensive, parashikohen edhe erëra të forta, breshër në zona të caktuara dhe shkarkesa të shpeshta elektrike. Erërat pritet të përfshijnë fillimisht Lazion, Kampanian dhe Siçilinë, për t’u shtrirë më pas drejt Pulias dhe Bazilikatës.

Përballë situatës së motit, disa bashki kanë marrë masa parandaluese për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Në Leçe dhe Brindizi është urdhëruar mbyllja e shkollave, parqeve dhe varrezave. Të njëjtat masa janë ndërmarrë edhe në qytetet Trani dhe Barleta, në rajonin e Pulias.

Në Leçe është anuluar gjithashtu ceremonia tradicionale institucionale në varrezat monumentale, e organizuar për përkujtimin e të ndjerëve dhe figurave të njohura të qytetit.

Ndërkohë, edhe bashkia e San Severos, në provincën e Foxhias, ka vendosur mbylljen e institucioneve arsimore dhe hapësirave publike. Në provincën e Brindisit, autoritetet lokale po koordinojnë masat në përputhje me paralajmërimin meteorologjik.

Në Napoli, autoritetet kanë njoftuar mbylljen e parqeve të qytetit dhe plazheve publike gjatë gjithë kohëzgjatjes së alarmit meteorologjik. Sipas Mbrojtjes Civile të Kampanias, përveç reshjeve dhe erërave të forta, ekziston edhe rreziku i përmbytjeve lokale, daljes së ujërave nga shtrati, rrjedhjeve në rrugë dhe rritjes së nivelit të ujërave.

Gjithashtu, nuk përjashtohen rrëshqitjet e dheut dhe rëniet e gurëve, veçanërisht në zonat ku toka është dobësuar nga reshjet e mëparshme dhe zjarret. Autoritetet u kanë kërkuar bashkive të aktivizojnë qendrat e operacioneve emergjente dhe të zbatojnë planet e mbrojtjes civile, për t’u përballur me çdo situatë të mundshme.