“Amerika në plan të parë”, Trump mobilizon votuesit para zgjedhjeve të 3 nëntorit
Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi tubime në Iowa dhe Kansas të dielën ndërsa republikanët bënë përpjekjen e fundit për të mobilizuar votuesit përpara zgjedhjeve të mesmandatit të së martës.
Trump iu drejtua mbështetësve në Dubuque të Iowës, përpara se të udhëtonte drejt Salinës, në Kansas, ku u bëri thirrje votuesve të mbështesin kandidatët republikanë dhe të ruajnë kontrollin e partisë mbi Kongresin.
"Nëse zgjidhni një Dhomë Përfaqësuesish dhe një Senat republikan më 3 nëntor, ne do të vazhdojmë ta vendosim Amerikën në plan të parë çdo ditë", u tha Trump mbështetësve në Salina.
Trump theksoi prioritetet që, sipas tij, republikanët do t'i ndjekin nëse ruajnë kontrollin e Kongresit, përfshirë kufizime më të rrepta për imigracionin, kërkesa për identifikimin e votuesve dhe vërtetimin e shtetësisë si dhe ndalimin e të ashtuquajturave "qytete strehë" (sanctuary cities).
Ai bëri thirrje për dënimin me vdekje për trafikantët e drogës në shkallë të gjerë dhe trafikantët e qenieve njerëzore si dhe për këdo që shpallet fajtor për vrasjen e një oficeri të zbatimit të ligjit.
"Epoka e artë e Amerikës është këtu, por ju duhet të dilni dhe të votoni", tha Trump.
Presidenti amerikan u bëri thirrje votuesve në Kansas të mbështesin senatorin republikan Roger Marshall, i cili kërkon rizgjedhjen si dhe kandidatin republikan për guvernator, Ty Masterson.
"Le të dalim dhe të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë: të fitojmë, të fitojmë, të fitojmë", tha Trump duke shtuar se "Më 3 nëntor ne do të fitojmë dhe le t'i bëjmë dy vitet e ardhshme më të mëdha, më të mira dhe më të forta se kurrë më parë".
Senatori Marco Rubio iu drejtua shkurtimisht tubimit në Kansas, duke vlerësuar arritjet e Trumpit në fushën e sigurisë kombëtare. "Detyra më e rëndësishme e çdo presidenti është të garantojë sigurinë tuaj dhe të familjes suaj. Në jetën time, asnjë president nuk e ka bërë këtë më mirë se ai që kemi aktualisht", tha Rubio.
"Falë tij, si presidenti ynë, Amerika është më e fortë. Ju jeni më të sigurt dhe armiqtë tanë në mbarë botën janë më të dobët", shtoi ai.
Zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit do të përcaktojnë se kush do të ketë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, pasi në garë janë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 vende në Senat. /AA/





























