Sport

Abissnet Superiore/ Vora-Dinamo dhe Teuta-Partizani sot mbyllin Javën e 10-të!

Java e 10-të e Abissnet Superiores, sot mbyllet me dy sfidat Vora-Dinamo, 13:30  dhe Teuta-Partizani, më 18:30. Në Durrës, Teuta e vendit të dytë pret Partizanin, në përpjekje për të dalë nga kriza.

Vora përballet me Dinamon, në një ndeshje që pritet të jetë e luftuar. Kryeqytetasit do të drejtohen nga ndihmëstrajneri Renaldo Kalari, pasi trajneri Ilir Daja është i skualifikuar (u dënua me 5 ndeshje nga Disiplina).

Pas barazimit me Tiranën, blutë kërkojnë të reagojnë, duke u kthyer te fitorja. Në anën tjetër, Vora e ka pikë të fortë fushën e saj, ku do të përpiqet të përsërisë suksesin ndaj Vllaznisë.

Teuta pësoi humbjen e parë javën që kaloi, kur u mund në Rrogozhinë nga Egnatia. Për të mos humbur kontaktet me këtë të fundit në kreun e tabelës, skuadra durrsake synon vetëm fitoren përpara tifozëve të saj.

Partizani i humbjeve radhazi, edhe me trajnerin e ri Karoglan, nuk ka më çfarë të humbasë. Të kuqtë do të luajnë gjithçka për gjithçka në “Niko Dovana”, sepse 4 pikët në tabelën e klasifikimit shqetësojnë jo pak.