Tragjike në Shkodër, makina përplas për vdekje 67-vjeçaren në trotuar
Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësoreje është regjistruar në Shkodër, në zonën e Bahçallëkut. Viktima është një 67-vjeçare, e cila është përplasur nga një automjet teksa po lëvizte në trotuar. Përplasja ka qenë fatale, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në afërsi të Urës së Bahçallëkut. Sipas informacionit paraprak të Policisë, një automjet i drejtuar nga 27-vjeçarja Bleona Pashuku dyshohet se ka dalë nga rruga pasi drejtuesja ka humbur kontrollin mbi mjetin.
Makina është larguar nga karrexhata dhe është përplasur me shkallët metalike të një ndërtese, duke goditur gjatë lëvizjes edhe këmbësoren që ndodhej në trotuar.
Si pasojë e goditjes, 67-vjeçarja Edmonda Barbullushi ka humbur jetën në vendngjarje, pa mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pamjet e publikuara nga vendi i aksidentit tregojnë momentin kur automjeti del nga rruga dhe përfundon në zonën ku po kalonte këmbësorja.
Ndërkohë, grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e rrethanave të aksidentit dhe shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.
Njoftimi paraprak i Policisë:
Sipas Policisë, rreth orës 15:40, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”, 27-vjeçarja Bleona Pashuku, duke drejtuar automjetin e saj, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij. Për pasojë, makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shkallët metalike të një ndërtese.
Nga aksidenti ka humbur jetën këmbësorja Edmonda Barbullushi, 67 vjeçe, e cila në momentin e ngjarjes po ecte në trotuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



