“Kam qenë edhe unë në lëkurën e Arlindës”! Arjola Demiri rrëfen për herë të parë në detaje dramën e martesës dhe divorcit: Kam duruar 6 vite
Thomas Markle Sr., babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, është transferuar në një qendër të specializuar për kujdesin e personave me demencë, raportojnë mediat britanike.
Sipas gazetës “The Sun”, 82-vjeçari u transferua të premten në një strukturë të specializuar për kujdesin e kujtesës në Florida. Ai ndodhej në një qendër rehabilitimi që prej muajit maj, pasi iu amputua këmba e majtë.
Lëvizja e tij drejt një qendre të specializuar mund të vështirësojë hetimet e FBI-së lidhur me akuzat për posedim të materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë. Kështu ka paralajmëruar avokati amerikan, Spencer Kuvin, i cili përfaqëson viktima të financierit të dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve, dyshimet u ngritën pasi djali i tij, Thomas Markle Jr., deklaroi në polici se kishte gjetur materiale të tilla mes sendeve personale të të atit në Filipine, ku të dy kishin jetuar.
Ndërkohë, FBI ka konfirmuar nisjen e një hetimi pas zbulimit të materialeve të dyshuara në një njësi magazinimi të marrë me qira nga Thomas Markle në Rosarito të Meksikës. Policia ka sekuestruar materiale nga ambienti në fjalë.
Markle i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të neveritshme”. Ai gjithashtu ka deklaruar për “The Mail on Sunday” se nuk kishte asnjë njësi magazinimi në Rosarito.
Autoritetet në Filipine kanë paralajmëruar se, nëse shpallet fajtor për posedimin e materialeve të paligjshme, ai mund të përballet me dënim deri në 12 vite burg.
Në të njëjtën kohë, vijojnë hetimet për mënyrën se si u trajtua një letër që përmbante akuza ndaj Thomas Markle, e cila iu dorëzua Meghan Markle në vitin 2019 nga një efektiv i njësisë së mbrojtjes mbretërore të Policisë Metropolitane në Britani.
Letra, e shkruar nga Roslyn Loveless, ish-bashkëshortja e parë e Thomas Markle, përmbante pretendime për abuzim seksual. Sipas raportimeve, Meghan kishte menduar të fliste publikisht për këto akuza, por polici e kishte këshilluar të mos e bënte këtë.
Top Channel