Universiteti “Luarasi” po përfaqëson Shqipërinë në një prej platformave më prestigjioze të industrisë globale të edukimit, ICEF Berlin 2026, si i vetmi universitet shqiptar me një stendë të dedikuar në këtë aktivitet. Një prezencë që dëshmon synimin e universitetit për të zgjeruar dimensionin e tij ndërkombëtar.

ICEF Berlin përfaqëson një nga forumet më të rëndësishme të edukimit ndërkombëtar, duke mbledhur mbi 870 agjentë edukimi dhe më shumë se 800 institucione e ofrues shërbimesh arsimore nga mbi 120 vende të botës. Aktiviteti krijon një mjedis të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve institucionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në arsimin e lartë.

Dita e dytë e aktivitetit është përqendruar te takimet individuale (One-to-One Meetings), ku përfaqësues të universiteteve dhe agjentë të specializuar të edukimit nga e gjithë bota zhvillojnë diskutime për partneritete akademike, rekrutim studentësh dhe zgjerim të rrjeteve të bashkëpunimit.

Në stendën e Universitetit “Luarasi”, përfaqësuesit e tij po zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me agjentë edukimi nga vende të ndryshme të botës. Stenda e universitetit ka tërhequr interes të veçantë, me një numër të konsiderueshëm përfaqësuesish të agjencive që ndalen për t’u njohur nga afër me institucionin, duke e kthyer atë në një hapësirë aktive komunikimi dhe shkëmbimi profesional.

Takimet shërbejnë jo vetëm për prezantimin e kapaciteteve akademike të “Luarasit”, por edhe për identifikimin e partnerëve strategjikë, shqyrtimin e modeleve të reja të rekrutimit dhe krijimin e kanaleve të qëndrueshme për afrimin e studentëve nga vende të ndryshme të botës.

Pjesëmarrja në ICEF Berlin 2026 është pjesë e vizionit të Universitetit “Luarasi” për ndërkombëtarizimin, rritjen e standardeve akademike dhe ndërtimin e një profili konkurrues përtej kufijve kombëtarë, një angazhim që synon ta kthejë hapjen ndaj tregjeve të huaja në partneritete konkrete, mobilitet studentor dhe perspektiva të reja zhvillimi për institucionin dhe arsimin e lartë në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb