Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot më 2 nëntor në Komisionin për Çështjet Ligjore projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikon për herë të parë shpenzime publike që tejkalojnë 10 miliardë euro.
Malaj bëri të ditur se një nga prioritetet kryesore është mbështetja për pensionistët, me dyfishimin e bonusit mujor nga 1 janari dhe indeksimit të pensioneve në muajin prill. Projektbuxheti parashikon gjithashtu mbi 2 miliardë euro investime publike, rritje të fondeve për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe mbrojtjen sociale, si dhe shtesë pagash për mbi 8,500 punonjës policie.
Një tjetër ndryshim është dhe zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksa vjetore e automjeteve. Sipas Malajt, buxheti synon të ruajë stabilitetin fiskal, të rrisë mirëqenien e qytetarëve dhe të mbështesë investimet dhe reformat në kuadër të integrimit europian.
Projektligji i Buxhetit 2027, që prezantojmë përpara jush është ndërtuar mbi objektivat dhe angazhimet e Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029, duke përcaktuar drejtimet kryesore të politikës sonë buxhetore për vitin e ardhshëm.
Për herë të parë, shpenzimet publike të planifikuara tejkalojnë 10 miliardë euro. Kjo shifër, historike për përmasat e buxhetit, është njëkohësisht edhe një përgjegjësi më e madhe për përdorimin me efikasitet të këtyre burimeve në funksion të interesit të gjerë publik.
Projektbuxheti i vitit 2027 është hartuar për të mbështetur prioritetet strategjike të vendit, me fokus te mirëqenia e qytetarëve, forcimi i shërbimeve publike, mbështetja e sektorëve kyç dhe vijimi i investimeve për zhvillimin ekonomik të vendit.
Projekbuxheti ka 3 prioritete themelore, që përcaktojnë drejtimin e zhvillimit të vendit:
Mirëqenia sociale dhe mbështetja për qytetarët;
Stabiliteti fiskal dhe financat publike të qëndrueshme;
Investimet, reformat dhe integrim në BE.
Përpara sesa të vijoj me prezantimin e këtij dokumenti themelor, më lejoni të bëj një panoramë të shkurtër të treguesve makroekonomikë, që demostrojnë fondamentet e forta të ekonomisë sonë dhe mbi të cilat ne jemi bazuar për të hartuar këtë projekligj.
Rritja ekonomike, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ishte 3.6% në terma vjetorë, duke pasqyruar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja përgjatë kësaj periudhe është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga konsumi privat, nga investimet, si dhe nga ecuria e mirë e eksporteve të shërbimeve, në veçanti turizmi, i cili vijon të jetë një nga motorët kryesorë të ekonomisë sonë.
Për vitin 2026 parashikohet një rritje reale prej 4.0%, në linjë me ecurinë e qëndrueshme të aktivitetit ekonomik dhe me kontributin pozitiv të sektorëve kryesorë dhe po në të njëjtin nivel parashikohet edhe për periudhën afatmesme 2027-2029.
Shkalla e papunësisë, në tremujorin e dytë të vitit, shënoi normën 8.3% dhe ndërkohë pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej, duke arritur në 76.3%. Këta tregues dëshmojnë se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për fuqinë punëtore.
Paga mesatare në rang vendi, në tremujorin e dytë të këtij viti, arriti në 967 euro, ose 9.8% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2025.
Inflacioni mesatar për janar – shtator llogaritet në 2.9%, pra brenda kufijve të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, ndjeshëm më i ulët se niveli mesatar në Ballkanin Perëndimor (4.1%).
Investimet e Huaja Direkte në gjysmën e parë të vitit 2026 u rritën me 50.8%, duke shënuar vlerën e 1.1 miliardë euro. IHD janë të orientuara gjithnjë e më shumë drejt sektorëve me vlerë të shtuar, duke nxitur rritje ekonomike, punësim dhe rritje të produktivitetit në vend.
Në tërësi, këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme drejt forcimit të stabilitetit ekonomik dhe fiskal, duke siguruar një klimë më të favorshme për investime, si dhe duke afruar ekonominë tonë me standardet e Bashkimit Evropian.
Financat publike mbeten shtylla kryesore e këtij stabiliteti, përmes menaxhimit të disiplinuar dhe borxhit publik në ulje të vazhdueshme. Në vitin 2025, u arrit një balancë primare pozitive prej 0.3% të PBB-së, ndërsa Borxhi Publik zbriti në 52.9% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Edhe në vitin 2027, ne do të vijojmë rrugën e konsolidimit fiskal, me një deficit prej vetëm 2.3% të PBB-së, duke ruajtur balancë primare neutrale dhe duke zbritur borxhin publik në 52.4% të PBB-së.
Pozitat e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe aftësia e saj për të përballuar presionet e jashtme janë vlerësuar vetëm një muaj më parë edhe nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s, e cila përmirësoi perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” dhe konfirmon vlerësimin “Ba3”, një dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë së politikave tona financiare, por edhe e besimit në rritje nga ana e investitorëve të huaj.
Sa i takon të ardhurave buxhetore për vitin 2027 ato parashikohen në masën 907.9 miliardë lekë (rreth 9.4 miliardë euro) ose sa 30.9% e PBB-së.
Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vitin 2027 janë projektuar mbi bazën e analizës së realizimit të pritshëm të vitit 2026, ecurisë historike të të ardhurave dhe parashikimeve makroekonomike, duke marrë në konsideratë ndikimin e rritjes ekonomike, inflacionit, politikat e reja fiskale dhe buxhetore, efekteve të politikave të mëparshme, si dhe të ardhurave shtesë të pritshme nga zbatimi i masave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Projeksionet e të ardhurave tatimore, doganore dhe të kontributeve parashikojnë që në vitin 2027 të ardhurat totale të arrijnë në rreth 793.8 miliardë lekë, ose 56 miliardë lekë më shumë krahasuar me të ardhurat e pritshme të vitit 2026, duke përfaqësuar një rritje prej 7.6%.
Të nderuar anëtarë
Pas kësaj panorame mbi ekonominë, më lejoni të vijoj me prezantimin e Projektbuxhetit 2027, i cili është dëshmi e qartë e angazhimit tonë të vazhdueshëm të qeverisë për t’iu garantuar qytetarëve të këtij vendi më shumë mirëqenie në përmbushje të vizionit tonë të përbashkët të Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.
Një nga prioritetet tona kryesore mbetet vijimi dhe forcimi i mbështetjes për moshën e tretë, duke garantuar më shumë përkujdesje dhe vëmendje për këtë kategori të shoqërisë, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin ekonomik të këtij vendi.
Pensionet zënë një vend të veçantë në prioritetet e Buxhetit 2027. Ju jeni dëshmitarë të nismës që ndërmorëm me Buxhetin e vitit 2026, duke nisur një qasje të re në mbështetjen financiare të pensionistëve.
Kjo nismë do të vijojë edhe në vitin 2027, por këtë herë me një mbështetje financiare më të madhe, e cila synon rritjen e të ardhurave të pensionistëve dhe, mbi të gjitha, përmirësimin gradual të standardit të tyre të jetesës. Për ne, kjo mbështetje nuk është thjesht një zë në buxhet, por një angazhim për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të një kategorie që meriton më shumë vëmendje dhe siguri ekonomike.
Konkretisht, parashikohet:
Afrimi i indeksimit i pensioneve në prillin e 2027, nga korriku që e kemi aktualisht, me një fond shtesë të parashikuar prej rreth 1,35 miliardë lekësh. Në total kjo politikë i kushton buxhetit të shtetit 4 miliardë lekë.
Dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale të parashikuar prej 20 miliardë lekësh në vit.
Pra, vetëm këto dy politika për pensionistët kanë një kosto totale në buxhetin e shtetit për vitin 2027 rreth 24 miliardë lekë ose 250 milionë euro.
Krahas pensioneve, buxheti forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë më në nevojë.
Synimi ynë është që mbështetja publike të jetë më e drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në përballimin e nevojave të përditshme.
Ndër masat kryesore mund të përmendim:
Dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre.
Vijimin i bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera rritet progresivisht për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë.
Rreth 1,3 miliardë lekë në vit për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm.
Do të vijojë kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48.000 lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.
Këto masa shprehin drejtimin social të Projektbuxhetit 2027: që do të thotë më shumë mbështetje më e madhe për pensionistët, më shumë kujdes për familjet dhe më shumë mbrojtje për qytetarët që kanë më shumë nevojë.
Paralelisht, buxheti do të vijojë të financojë sektorët prioritarë, duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet përmirësimit të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Për periudhën 2027-2029, shpenzimet kapitale, pra shpenzimet për investime publike, do të targetohen të jenë mesatarisht në rreth 6.6% e PBB-së, për çdo vit buxhetor, duke përfshirë edhe investimet e reja publike që potencialisht do të mundësohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon nxitjen e një rritje potenciale më të lartë dhe konvergjencë më të shpejtë me ekonomitë e BE-së.
Për vitin 2027, Investimet publike do të përfaqësojnë 6.9% të PBB-së ose mbi 2 miliardë euro për infrastrukturën, shërbimet publike dhe projektet që mbështesin zhvillimin ekonomik.
Për sa i takon sektorëve prioritarë:
Mbrojtja sociale zë një vend kyç në Projektbuxhetin 2027. Përmes këtij buxheti, rrisim mbështetjen për pensionistët, forcojmë politikat për fëmijët dhe familjet dhe vijojmë të mbështesim qytetarët që kanë më shumë nevojë.
Për vitin 2027, financimi për mbrojtjen sociale arrin në 279,7 miliardë lekë, ose rreth 30% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Çka do të thotë se për çdo 3 lekë që shpenzojmë, 1 lek shkon për mbrojtjen sociale.
Arsimi është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Për këtë arsye, Projektbuxheti 2027 parashikon që shpenzimet e këtij sektori të arrijnë në 93,7 miliardë lekë. me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit.
Prioritetet kryesore që do të financohen janë:
1.1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët që vijnë nga familje në nevojë.
400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë.
500 milionë lekë do të investohen për programin “Pas Shkollës” (After School), duke mundësuar zgjatjen e orarit për fëmijët që qëndrojnë pas shkolle deri në orën 17:00.
100 milionë lekë shtesë për kërkimin shkencor.
Përmes këtyre investimeve ne synojmë të përmirësojmë kushtet e mësimdhënies, të zgjerojmë mundësitë për nxënësit dhe të forcojmë lidhjen mes arsimit, dijes dhe zhvillimit të vendit.
Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin në shërbime dhe për të garantuar mbështetje më të mirë për pacientët.
Për vitin 2027, shpenzimet për sektorin parashikohen në 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 6 miliardë lekësh.
Masat kryesore përfshijnë:
1 miliard lekë financim shtesë për barnat dhe pajisjet mjekësore, në mbështetje të shërbimeve spitalore dhe kujdesit shëndetësor parësor e dytësor.
Trajtimi me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë.
Rehabilitimi dhe ndërtimi i 20 spitaleve në vend.
Këto fonde synojnë të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të mbështesin qytetarët përmes furnizimit me barna, pajisjeve mjekësore dhe investime në infrastrukturën spitalore.
Siguria dhe rendi mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona.
Për këtë qëllim, buxheti parashikon financimin e nevojshëm për këta sektorë, si dhe mbështetje shtesë për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Financimi për këtë sektor parashikohet në 36.7 miliardë lekë, ku
3,3 miliardë lekë shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Përfitojnë mbi 8,500 punonjës, me gradën inspektor, të cilëve u rritet paga bazë me 20,000 lekë. Kategoritë e tjera përfitojnë shtesë page nga 10,000 lekë deri në 15,000 lekë në varësi të gradave.
Krahas forcimit të kapaciteteve institucionale, rritja e pagave është pjesë e angazhimit tonë për të mbështetur punonjësit që kontribuojnë çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Për sa i përket shpenzimet buxhetore për Drejtësinë:
Ato kanë njohur rritje një të konsiderueshme që prej nisjes së Reformës në Drejtësi, në vitin 2016.
Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon rreth 27.1 miliardë lekë për këtë sektor, pra rreth 280 milionë euro, ose rreth 14.4 miliardë lekë më shumë se sa drejtësia kishte në vitin 2016.
Shifrat reflektojnë qartë mbështetjen financiare për funksionimin e institucioneve të Drejtësisë.
Më lejoni të paraqes disa nga zërat, në mënyrë më të detajuar:
Shpenzimet e personelit, për punonjësit e sistemit të drejtësisë, parashikohen në masën 18.8 miliardë lekë, ose 11.8 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016. Rritja e konsiderueshme e këtij zëri shpenzimesh reflekton rritjen gjatë këtyre viteve të burimeve njerëzore dhe rritjen e vijueshme të pagave, të finalizuar me reformën e miratuar në vitin 2023 dhe që përfundoi në fund të vitit 2025.
Investimet në vitin 2027 parashikohen rreth 2.8 miliardë lekë, duke e çuar financimin kumulativ nga viti 2016 në masën 22.8 miliardë lekë.
Gjithashtu do të vijojmë të sigurojmë ofrimin e ndihmës juridike falas. Janë rreth 6,000 individë në total, që plotësojnë kushtet në zbatim të ligjit për ndihmën juridike falas, nga të cilët 3,000, pra gjysma janë përfituese gratë dhe vajzat.
Tani më lejoni të kaloj te një tjetër sektor i rëndësishëm, siç është Bujqësia.
Buxheti për bujqësinë parashikohet në 17,9 miliardë lekë, me 1,1 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit.
Përmes politikave që do të zbatojmë ne synojmë rritje të numrit të përfituesve. Kemi parashikuar për 2027 rreth 43,660 përfitues-fermerë, numër i cili do të rritet edhe më tej në periudhën afatmesme.
Ndër masat kryesore mund të përmend:
Vijimin e kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët, me një fond vjetor për vitin 2027 në 3 miliardë lekë.
Skema e mbështetjes direkte të fermerëve parashikohet me rritje në masën 5.3 miliardë lekë.
400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit.
Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë do të zënë 2.5% të PBB-së me një fond total 75,4 miliardë lekë, ku ndër politikat kryesore mund të përmendim:
Ndërtimi i rrjetit për Ujësjellës & Kanalizime në disa bashki : Bashkinë Mat , Memaliaj, Sarandë , Fier, Lezhë, Shkodër dhe Velipojë; Rikostruksion i linjave ekzistuese të ujësjellësit të Kukësit, etj. Ndërtim Depo Uji në Bashkinë Tiranë.
Aksi Elbasan-Lekaj, bypass-i i Elbasanit, Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimi Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Tiranës.
Për Mbrojtjen do të vijojmë të financojmë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Për vitin 2027, parashikohet:
76,7 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes.
7 miliardë lekë financim shtesë.
Shpenzime për mbrojtjen në nivelin 2,35% të PBB-së.
Këto investime synojnë të forcojnë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe të mbështesin angazhimet tona në kuadër të Aleancës.
Do të doja të ndalesha edhe te pritshmëritë dhe objektivat e buxhetit të pushtetit vendor.
Shpenzimet për Buxhetin vendor 2027 do arrijnë në 114,6 miliardë lekë ose me rritje 17% krahasuar me vitin 2026.
58.6 miliardë lekë do të vijnë si të ardhura nga vetë financat vendore,
56 miliardë lekë vjen si mbështetje nga buxheti i shtetit nëpërmjet formës së transfertës së pakushtëzuar dhe transfertës sektoriale.
Të nderuar anëtarë,
Paralelisht me Buxhetin 2027, Ministria e Financave ka hartuar edhe Paketën Fiskale e cila përmban 6 projektligje.
Ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin bazohet kjo Paketë Fiskale është rishpërndarja e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe shtresës së mesme.
Ndaj,Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore:
Rishpërndarja e të ardhurave
Forcimi i drejtësisë fiskale;
Përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor;
Në këtë kuadër, janë propozuar ndryshime në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale, TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesat e BE-së, si dhe zhvendosjen e takës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve.
Këto masa synojnë të sigurojnë një sistem fiskal më të drejtë, të kufizojnë hapësirat për shmangien fiskale, si dhe të garantojnë të ardhura të qëndrueshme për financimin e politikave publike dhe investimeve prioritare.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:
rritjen e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%;
rishikimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar shtresën e mesme dhe duke forcuar progresivitetin për të ardhurat më të larta;
uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë;
aplikimin e normës së reduktuar 6% për 54 produkte të shportës bazë;
rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%;
zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet tek taksa vjetore e automjetit;
vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian.
Në përfundim, dua të nënvizoj se Projektbuxheti 2027 përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishëm për zbatimin e prioriteteve tona ekonomike dhe sociale.
Qëllimi ynë është që rritja ekonomike të përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët, duke vendosur në fokus familjen, pensionistët, fermerët dhe mbështetjen e sektorëve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.
Një dimension tjetër i rëndësishëm që përshkron Projektbuxhetin 2027 është mbështetja ndaj procesit të integrimit evropian. Në këtë drejtim, buxheti mbështet vijimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe përafrimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Evropian.









