Irani thotë se po shqyrton një plan dyditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Të hënën, Irani deklaroi se është i gatshëm ta rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda dy ditësh, nëse SHBA-ja pranon kushtet e tij; më herët, ishte propozuar një afat prej një jave.
"Mundësia e zbatimit të këtij plani brenda dy ditësh është një tjetër tregues i qasjes së Iranit me mirëbesim", ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei.
"Ne kemi deklaruar se, nëse kërkesat e Iranit përmbushen, do të jetë e mundur të rivendoset siguria në ngushticën e Hormuzit dhe të rifillojë procesi i negociatave brenda një periudhe të shkurtër".
Ai bëri të ditur se po shkëmbehen mesazhe me Shtetet e Bashkuara përmes ndërmjetësve dhe se "gjithçka varet" nga pranimi i kërkesave iraniane nga pala amerikane.
"Vetëm atëherë mund të diskutojmë për fazat e mëtejshme".
Që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit, Irani ka pretenduar kontrollin mbi ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për transportin e energjisë.
Irani shpesh merr në shënjestër anijet që përpiqen të kalojnë ngushticën pa autorizimin e tij, ndërsa SHBA-ja, si kundërpërgjigje, ka vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane.
Në shtator, Irani propozoi fillimisht një plan shtatëditor – të cilin ia përcolli SHBA-së përmes Katarit – sipas të cilit Teherani do ta rihapte ngushticën në ditën e gjashtë, pasi SHBA-ja të kishte përmbushur kërkesat iraniane.
Këto kërkesa përfshijnë: dhënien fund të luftës në Lindjen e Mesme në të gjitha frontet, zhbllokimin e aseteve iraniane jashtë vendit, heqjen e sanksioneve ndaj sektorit të naftës dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane.
Që nga muaji gusht, Uashingtoni ka vendosur një valë të re sanksionesh, pjesë e asaj që e ka quajtur "asfiksim ekonomik" i Iranit.
Gjatë ditëve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shtuar gjithashtu kërcënimet për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit, në një kohë kur të dyja vendet po përballen me zgjedhje vendimtare.
Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se i duhet ende të "merret" me një ose dy objektiva, përfshirë "Malin Pickaxe" (Pickaxe Mountain) në Iranin qendror – një vend që dyshohet se lidhet me programin bërthamor, ndonëse Teherani e mohon një gjë të tillë.
"Çdo akt agresioni kundër Iranit, çdo sulm ushtarak ndaj Iranit – me çfarëdo mjeti qoftë – do të përballet me një përgjigje të fuqishme, të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse nga ana jonë," tha Baghaei gjatë një informimi të Ministrisë së Jashtme të hënën. /Telegrafi/









































