Administratori i shoqërisë “ECO-ELB”, që menaxhon inceneratorin e Elbasanit, Leli Kaja, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Kaja u arrestua më 5 tetor 2026 nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e SPAK-ut, nën dyshimin për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas SPAK, administratori i “ECO-ELB” dyshohet se i ka kërkuar dhe marrë 400 mijë lekë një administratori të një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkonte ligji në funksionin e tij.Shuma e parave u gjet dhe u sekuestrua gjatë kontrollit personal të Kajës, pasi ai dyshohet se e kishte marrë atë si përfitim të paligjshëm.
Më 9 tetor, GJKKO caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke mos pranuar kërkesën e SPAK për “Arrest me burg”.
Njoftimi i SPAK
SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
© SYRI.net