“Bashkohuni me ne”/ Studentët në protestë edhe sot, futen nëpër auditorët e disa universiteteve, pas marshimit në Tiranë rikthehen te Kryeministria

02/11/2026 14:25

Protesta ditën e sotme ka nisur në dyert dhe sallat e universiteteve.

Studentët e Politeknikut i prinë javës së katërt të protestës studentore në kryeqytet, duke marshuar drejt Universitetit të Tiranës, të Arteve dhe Mjekësisë, me thirrjet për bashkim.

“Bojkotoni mësimin, bashkohuni me ne”, kanë brohoritur ata.

“Nuk duhet të kemi frikë, nuk mposhtemi”, u shpreh protestuesja.

Nga Fakulteti i Ekonomisë te Histori-Filologjia, Drejtësia, Shkencat e Natyrës e programet e Shëndetësisë, rrugët e Tiranës oshëtinin nga të rinjtë që kërkonin mbështetjen e studentëve që ishin rikthyer në auditorë, ku mësimi u ndërpre dhe disa prej tyre u bënë pjesë e grupimit të protestuesve.

“Marshimi po funksionon, po sensibilizojmë sepse studentët kanë presion se do të ngelin nga pedagogët. Ne kërkojmë të drejtat tona. Sa më shumë në numër, aq më shumë zë. Siç e shihni, nuk ka agravim, po protestojmë në mënyrë paqësore”, deklaruan protestueset.

Rinia rreth e qark kryeqytetit kërkoi edhe përkrahjen e personave të ulur në kafene.

Ndërsa grumbullimi u bë sërish te Ministria e Arsimit dhe Kryeministria, ku paralajmërohet, me ndihmën e pedagogëve, edhe prezantimi i një produkti politik.

“Një parti politike e studentëve, rinia do të jetë shpëtimi. Organizimi do të bëhet nga studentët dhe akademikët, të cilët i kanë duart e pastra”, tha pedagogu.

Studentët po protestojnë prej 13 tetorit për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, teksa refuzojnë ftesën e tij për dialog.

Top Channel