Vendosni fjalën kyçe....

Berisha reagon ndaj thirrjeve të studentëve kundër tij: Më bëjnë nder, jam tmerri i narko-zyrtarëve


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga ambientet e SPAK-ut ndaj thirrjeve të studentëve protestues kundër tij dhe kërkesave për dorëheqjen e tij. Ai i cilësoi këto thirrje si një nder, duke deklaruar se ndihet krenar për qëndrimin e tij kundër zyrtarëve që i konsideron pjesë të “narkoshtetit”.

“Kjo më bën nder. Berisha është tmerri dhe ferri i narko-zyrtarëve dhe i bandave të tyre. Ndihem krenar!”, u shpreh ai.

Berisha iu përgjigj edhe kritikave ndaj Partisë Demokratike për qëndrimin e saj në raport me protestën studentore. Ai pretendoi se PD-ja ishte ndër të parat që iu përgjigj thirrjes së sindikatave për protestën e 13 tetorit dhe se kishte angazhuar edhe strukturat e Forumit Rinor në universitete.

“U them puthadorëve të Ramës, se jo ju, shërbëtorë të shpifur të padrinos, këta njerëz e faktuan se kryetarin e tyre e zgjedhin ata dhe askush tjetër. PD ka mbështetur, i është përgjigjur e para thirrjes së sindikatave për protestën e studentëve më 13 tetor. Këto janë dokumente, fakte. Nuk i mohon askush. PD ka lëvizur strukturat e saj të Forumit Rinor, i cili ka degën e vet në universitete”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se protesta duhet të mbetet studentore dhe pa simbole partiake, ndërsa paralajmëroi se, sipas tij, ata që përpiqen ta përvetësojnë atë do të përballen me reagim.

Gjatë komunikimit me gazetarët, kreu i PD-së u ndal edhe te zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke përsëritur pretendimet për manipulim të votës dhe ndikim të grupeve kriminale në rezultat. Berisha tha se opozita kishte paralajmëruar se do të mbronte votën e qytetarëve dhe se u kishte paraqitur vëzhguesve ndërkombëtarë dokumente që, sipas tij, dëshmojnë shkeljet gjatë procesit zgjedhor.

Ai komentoi gjithashtu përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me urimet e sekretarit Marco Rubio për fituesit e zgjedhjeve, duke e interpretuar atë si një mesazh drejtuar kryeministrit Edi Rama.

“PD u tha shqiptarëve se ajo do të mbrojë votën. Siç e keni marrë vesh, në zgjedhjet e 11 majit Rama nuk mori një urim si çdo vit tjetër. Përmes këtij urimi, zëdhënësi i DASH-it iu përgjigj pyetjes së një gazetari se sekretari Rubio uron vetëm ata që dalin fitimtarë nga zgjedhjet e lira. Ia ka dopio gjashtën në orë Ramës”, tha Berisha.

Më tej, ai pretendoi se Partia Demokratike u kishte paraqitur vëzhguesve ndërkombëtarë qindra dokumente për shkelje të mundshme gjatë zgjedhjeve. Sipas tij, gjatë fushatës ishin zhvilluar 450 aktivitete që, siç pretendoi, nuk lejoheshin nga afatet ligjore. Berisha akuzoi gjithashtu grupe kriminale në Fier, Lushnjë, Durrës dhe Shkodër se kishin ndikuar në përcaktimin e rezultatit zgjedhor.