
Egnatia merr një goditje të rëndë në prapavijë. Dëmtimi i mbrojtësit Eljon Sota rezulton më serioz nga sa ishte parashikuar fillimisht dhe lojtari pritet të qëndrojë për një periudhë të gjatë jashtë fushave.
Sota u dëmtua në kavilje gjatë përballjes me Teutën, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore është vendosur që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale jashtë vendit.
Sipas vlerësimit të stafit mjekësor, rikuperimi i mbrojtësit pritet të zgjasë rreth 5-6 muaj. Një mungesë e rëndësishme kjo për Egnatian dhe trajnerin Nevil Dede, i cili nuk do të ketë në dispozicion një prej lojtarëve të repartit defensiv për një pjesë të konsiderueshme të sezonit.
Tashmë, stafi teknik i rrogozhinasve do të duhet të gjejë alternativat e duhura për të përballuar mungesën e Sotës në ndeshjet e ardhshme.