Arkiva e RTSH-së do të digjitalizohet, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit financon projektin. Drejtoresha Vasili: Moment historik për kujtesën kombëtare

Arkiva e Radio Televizionit Shqiptar do t’i nënshtrohet një procesi të plotë digjitalizimi. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila njofton se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit do të financojë dhe realizojë këtë projekt.
Vendimi është marrë nga Bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, pas kërkesave dhe insistimit të vazhdueshëm të ekipit drejtues të RTSH-së, veçanërisht të drejtoreshës së përgjithshme.
“Do doja të ndaja sot me ju personalisht një lajm shumë të veçantë dhe shumë të rëndësishëm. Është një lajm shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, mendoj që edhe për çdo shqiptar. Nuk është thjesht një projekt pune, është një punë zemre do të thosha. Në këto bobina në këto ambiente kur ruhet fondi 75 vjeçar arkivor i Radiotelevizionit Shqiptar për dekada me radhë, është ruajtur le të themi shpirti i këtij kombi, zërat tanë të fëmijërisë, janë ruajtur filmat, koncertet, gjithçka që është prodhuar në Radiotelevizionin Shqiptar, dokumentarë, është ruajtur memoria jonë kombëtare për dekada me radhë.
Por sigurisht këto materiale arkivore kanë edhe datën e tyre të skadencës dhe gjithçka po shkonte drejt shkatërrimit. Mijëra e mijëra orë televizive, orë në shirita dhe bobina po shkonte drejt humbjes së pakthyeshme. Dhe ja ku vjen vendimi i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, të cilët pas kërkesave tona të njëpasnjëshme, të këmbënguljes tonë, insistimit dhe disa studimeve që ata kryen, morën vendimin për të financuar dhe realizuar po ata vetë digjitalizimin e plotë të arkivës së Radiotelevizionit Shqiptar”, bën me dije Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH.
Vasili e ka cilësuar këtë zhvillim si një moment historik jo vetëm për RTSH-në, por edhe për trashëgiminë dhe kujtesën kombëtare të shqiptarëve.
“Ky është një projekt historik, është një moment historik, jo vetëm për RTSH-në. Ky është një moment historik për pasuritë dhe memoriet tona kombëtare. Kam një falënderim të veçantë sot për bordin e Fondit Shqiptaro-Amerikan, për vendimin që morën për të qenë partnerë të Radiotelevizionit Shqiptar në një nga proceset më të rëndësishme dhe historik që ka RTSH-ja, pikërisht digjitalizimin e arkivës, ashtu siç kam një nderim të veçantë për të gjithë ata që kontribuuan dhe ndërtuan arkivin e Radio Televizionit Shqiptar në vite”, thekson Vasili.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm për modernizimin e arkivës së transmetuesit publik dhe ruajtjen e një pjese të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



