Ylli i skuadrës e “trondit” Hansi Flickun, i kërkon largimin në janar

Alejandro Balde është i gatshëm të largohet nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi ka filluar të pranojë se situata e tij në klub vështirë se do të ndryshojë.
Sipas mediumit “Mundo Deportivo”, mbrojtësi i majtë spanjoll është gjithnjë e më i pakënaqur me rolin që ka në skuadër, pasi që nga fillimi i sezonit ka mbetur kryesisht në periferi të planeve të trajnerit Hansi Flick.
Balde kishte shpresuar se do të rikthehej në formacionin bazë pas lëndimeve në repartin defensiv, por qëndrimi i trajnerit gjerman ndaj tij nuk ka ndryshuar shumë. Vendimi për të mos e aktivizuar nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Alavesit ishte një tjetër dëshmi për këtë situatë.
Me Joao Cancelo dhe Xavi Espart që aktualisht janë përpara tij në hierarkinë e mbrojtësve të majtë, 23-vjeçari ka gjithnjë e më pak besim se do të fitojë një rol më të rëndësishëm.

Për më tepër, Balde është i zhgënjyer edhe nga mënyra se si Flick po e menaxhon situatën e tij. Trajneri gjerman raportohet se nuk ka qenë mjaftueshëm i drejtpërdrejtë në komunikimin me futbollistin spanjoll.
Së fundmi, Flick kishte dhënë edhe një vlerësim kritik për paraqitjet e tij, duke thënë se Balde i mungon vetëbesimi i nevojshëm për të performuar në nivelin më të lartë.
Ndërkohë, Barcelona po shtyn për shitjen e tij në janar, ashtu siç kishte tentuar edhe gjatë verës, me qëllim që të sigurojë të ardhura për përforcimin e repartit defensiv.
Liga Premier shihet si destinacioni më i mundshëm për të ardhmen e mbrojtësit, me Manchester Unitedin që vazhdon ta monitorojë nga afër situatën e tij./Telegrafi/














































