Tuesday / November 3 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Banka Lajmet Kryesore Nga Vendi

BSH paralajmëron se ulja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla mund të rrisë çmimet

Share Share Icon

Banka e Shqipërisë shprehu sot një opinion pozitiv për projektbuxhetin e vitit 2027, por theksoi se plani i të ardhurave është në kufirin e sipërm të projeksioneve të makroekonomike.

Zëvendësguvernatorja e Dytë, Natasha Ahmetaj, tha në fjalën e saj në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat se rreziqet që shoqërojnë supozimet e skenarit bazë mbeten relevante dhe, si të tilla, duhen adresuar.

“Devijimet potenciale nga supozimet kërkojnë adoptimin e planeve të kontingjencës dhe potencialisht marrjen e masave shtesë, në varësi të shmangies së tyre nga skenarët bazë. Ne gjykojmë që, në çdo rast kur do të jetë i nevojshëm korrektimi fiskal i bazuar në kahun e shpenzimeve, me qëllim respektimin e limitit të deficitit buxhetor, duhet ndjekur një rend prioritar në kryerjen e shpenzimeve që sigurojnë eficiencë më të lartë,” tha ajo.

Lidhur me masat e propozuara fiskale dhe në veçanti ndryshimet e rëndësishme të propozuara në nivelet e TVSH-së, Banka e Shqipërisë tha se ndikimi i tyre do të varet nga masa e transmetimit te çmimet finale, pa përjashtuar që këto ndryshime të mund të ndikojnë pritjet inflacioniste të aktorëve ekonomikë.

“Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në kahun rënës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe reduktimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të japin ndikim të kahut të kundërt.

Në tërësi, ne vlerësojmë se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme. Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve,” tha zj. Ahmetaj.

Në sugjerimet e saj për të ardhmen, Banka e Shqipërisë përsëriti nevojën e një planifikimi dhe realizimi më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore, e sidomos të realizimit të investimeve, gjatë vitit. Kjo praktikë do të mundësonte përdorimin më efikas të burimeve publike, si dhe zbutjen e luhatjeve të likuiditetit dhe të kërkesës agregate.

Një tjetër sugjerim i përsëritur edhe këtë vit nga Banka e Shqipërisë është reformimi i sistemit të pensioneve.

“Në një perspektivë më afatgjatë, trendet e pafavorshme demografike, si plakja e popullsisë, emigracioni dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të shtojnë presionet mbi financimin e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvijëzon rëndësinë e vijimit të reformave.

Banka e Shqipërisë inkurajon vijimin e përpjekjeve për reformimin e sistemit të pensioneve, me synim vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm ndërmjet nivelit të përfitimeve dhe kapaciteteve financiare të skemës. Në veçanti, vlerësojmë të rëndësishëm shqyrtimin e mundësive për përshtatjen graduale të parametrave të skemës publike dhe zgjerimin e bazës së kontribuuesve, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të skemave plotësuese të pensioneve, në vijim të nismave të ndërmarra.

Paralelisht me to, e nevojshme është dhe përfshirja sistematike e projeksioneve demografike dhe e vlerësimeve të qëndrueshmërisë së skemave të pensioneve dhe të sigurimit shëndetësor në planifikimin fiskal afatmesëm dhe afatgjatë,” tha ajo.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë thekson se, në një mjedis ekonomik e financiar të karakterizuar nga pasiguri të larta dhe rreziqe të shtuara, forcimi i mëtejshëm i mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe administrimin e rreziqeve fiskale është tejet i rëndësishëm.

“Ne gjykojmë se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ndikimit që mund të kenë mbi treguesit buxhetorë dhe trajektoren e borxhit publik, zhvillimet më pak të favorshme ekonomike dhe ndryshimet në kushtet e financimit.

Në këtë drejtim, rritja e përdorimit të analizave të ndjeshmërisë dhe e skenarëve alternativë në planifikimin buxhetor, si dhe identifikimi në kohë i masave për përballimin e rreziqeve të mundshme, do të ndihmonin në rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe ruajtjen e aftësisë së politikës fiskale për t’iu përgjigjur goditjeve,” tha Zv/guvernatorja Ahmetaj.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

BB: Eksportuesit 66% më produktivë, por përfitimet nuk reflektohen në paga

Kompanitë e industrisë përpunuese që eksportojnë, por nuk importojnë, kanë një produktivitet pune 66% më të lartë se ndërmarrjet që operojnë vetëm ...

16 hours më parë 3 Min Lexim

Buxheti 2027 ndan fondet për 61 bashki, pa reflektuar reformën territoriale me 46

Qeveria ka hartuar projektbuxhetin e pushtetit vendor për vitin 2027 mbi ndarjen e vjetër administrativo-territoriale me 61 bashki, ndonëse Kuvendi...

17 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!