Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të diskutojë në një debat parlamentar për gjendjen në sektorin e energjisë, çmimet e larta dhe vështirësitë në furnizimin me energji elektrike.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri njoftoi se është rënë dakord që debati të zhvillohet javën e ardhshme, jo këtë javë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, dështimet në këtë sektor kërkojnë diskutim, pasi Kosova po e blen energjinë elektrike me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa blloku B1, të cilin ai e cilësoi si më të rëndësishmin, është jashtë funksionit. Tahiri tha gjithashtu se sot shumica e qyteteve të Kosovës janë në terr.
Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar për të enjten, në orën 12:00.
Ndër pikat e propozuara për këtë seancë është shqyrtimi i parë i Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Deputetët pritet të trajtojnë edhe Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025. Në rend dite janë përfshirë po ashtu propozimet e grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së dhe Listës Serbe për zëvendësimin ose emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.






