Ushqyerja me gji, ja cilat janë përfitimet për foshnjën dhe sfidat për nënat

Sociale | 4 minuta më parë

Ushqyerja me gji luan një rol të rëndësishëm në shëndetin dhe zhvillimin e të porsalindurit. Mjekja neonatologe Dhurata Kuçi shpjegon se përfitimet e ushqyerjes me gji lidhen me marrjen e lëndëve ushqyese të nevojshme dhe mbështetjen e sistemit imunitar të foshnjës.

“Qumështi i gjirit përmban vlera të tilla ushqimore që janë të përshtatshme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Përmban disa faktorë mbrojtës ndaj infeksioneve të cilat nuk mund t’i marrin në asnjë mënyrë tjetër. Ndikon shumë në zhvillimin e trurit. Gjithashtu parandalon disa sëmundje siç janë sëmundjet alergjike, asma, egzema, diabeti i tipit një, diabeti i tipit dy dhe sëmundje kardiovaskulare”, deklaroi mjekja neonatologe Dhurata Kuçi.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është mënyra se si nëna mund të kuptojë nëse foshnja po merr sasinë e nevojshme të qumështit dhe cilat shenja duhet të vëzhgojë gjatë ditëve të para.

“Në qoftë se bebi është i qetë, i kënaqur dhe urinon mbi shtatë tetë-pelena në ditë, ndryshimi i ngjyrës së urinës, nga një ngjyrë e errët në ditët e para, bëhet si uji apo feçe të shpeshta, të buta, jo të forta, tregojnë që bebi po ushqehet mirë”, tha mjekja.

Gjatë ushqyerjes me gji, nënat mund të përballen me vështirësi të ndryshme. Njohja e këtyre problemeve dhe kërkimi në kohë i ndihmës së specialistit janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e gjidhënies.

“Pastaj janë vështirësitë që kanë të bëjnë me strukturën e gjirit apo me strukturën anatomike të gojës së bebit. Për të gjitha këta janë vështirësi plotësisht të kapërcyeshme dhe nënat munden me gjet mbështetje pranë personelit mjekësor që kujdeset për fëmijët e për salinën qoftë në maternitet qoftë në konsultore”, bëri me dije mjekja.

Informimi i nënave dhe mbështetja nga profesionistët shëndetësorë ndihmojnë në përballimin e vështirësive dhe në krijimin e kushteve të përshtatshme për ushqyerjen me gji që në ditët e para të jetës.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme