Një banesë në fshatin Finiq është grabitur mbrëmjen e 31 tetorit nga persona ende të paidentifikuar.
Pre e grabitjes ka rënë një e moshuar, së cilës autorët i kanë marrë 6800 euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Sipas raportimeve në media ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00–18:30, në momentin kur e moshuara ishte larguar nga banesa për të vizituar të afërmit, të cilët jetojnë pranë saj.
Kur është kthyer në shtëpi, ajo ka gjetur dyert e shqyera dhe banesën të përmbysur nga autorët, të cilët kishin kontrolluar ambientet për të gjetur sende me vlerë.
Mes sendeve të grabitura ishte edhe shuma prej 6800 eurosh, të cilën thuhet se e moshuara e kishte kursyer për të kryer një operacion shëndetësor. Autorët kanë marrë gjithashtu varëse, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Deri më tani, nuk ka persona të arrestuar për ngjarjen. Pritet një reagim nga autoritetet për sqarimin e plotë të rastit.













