
Fitorja ndaj Napolit ka pasur një kosto të lartë për Juventusin. Skuadra e Luciano Spallettit po përballet me një situatë shqetësuese sa i përket gjendjes fizike të lojtarëve, pasi tre futbollistë të tjerë kanë shfaqur probleme gjatë sfidës së fundit.
Weston McKennie, Juan Cabal dhe Kerim Alajbegovic do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve. Shqetësimi më i madh në kampin bardhezi lidhet me mesfushorin amerikan, i cili ka ndjerë dhimbje në zonën e aduktorit, si dhe me mbrojtësin Cabal, për të cilin ekziston dyshimi për një tërheqje muskulore, vetëm pak kohë pas rikthimit në fushë.
Më pozitive duket situata e Alajbegovic. Në rastin e tij, dyshimet paraprake flasin për lodhje fizike, e cila mund të ketë ardhur pas golit të realizuar.
Këto probleme të reja e përkeqësojnë edhe më shumë situatën e Juventusit, që aktualisht ka shtatë futbollistë të tjerë në infermieri: Grabara, Celik, Locatelli, Thuram, Yildiz, Nico Gonzalez dhe Conceição. Në këtë listë është edhe Arkadiusz Milik.
Situata bëhet edhe më e komplikuar për Luciano Spallettin në prag të transfertës së së enjtes ndaj AZ Alkmaar, në kuadër të Europa League. Trajneri rrezikon të udhëtojë drejt Holandës me një grup të reduktuar lojtarësh, duke pasur shumë pak alternativa në dispozicion.
Vështirësitë shtohen edhe nga kufizimet e listës së UEFA-s, pasi Rugani, Zhegrova dhe Ekhator nuk mund të jenë pjesë e skuadrës për këtë kompeticion.
