Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt ka zhvilluar mbledhjen e parë në Kosovë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që në hetimin e rastit të përfshihet edhe Prokuroria Speciale, për të shqyrtuar përgjegjësinë e zyrtarëve që kishin për detyrë mbrojtjen e 49-vjeçares.

Kryetari i Komisionit Hetimor, Burim Ramadani, u ka kërkuar anëtarëve që deri të mërkurën të paraqesin propozimet për veprimet që duhet të ndërmerren, në mënyrë që të premten të diskutohet plani i punës.

Nënkryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, u zotua se rasti do të trajtohet me profesionalizëm dhe përgjegjësi, duke u ndalur te çdo veprim apo mosveprim i institucioneve përgjegjëse.

"Duhet hetuar, verifikuar në detaje secili veprim, mosveprim, mospërmbushje të obligimeve ligjore të institucioneve përgjegjëse”, deklaroi Rrustemi.

Ndërsa anëtarja e Komisionit nga PDK, Besa Kabashi Ramaj, theksoi se hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te zyrtarët që kanë trajtuar drejtpërdrejt rastin, por duhet të përfshijë edhe drejtuesit e institucioneve.

“Përgjegjësia e shtetit nuk fillon kur një grua vritet, por kur ajo kërkon të mbrohet”, u shpreh ajo.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, tha se Arlinda kishte treguar gjithçka përmes kërkesave të saj për ndihmë.

“E ndjera Arlinda i ka thënë të gjitha që ne sot s’mund t’i themi dhe e jona është të punojmë shumë në këtë komision hetimor”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi që Prokuroria Speciale të angazhohet në hetimin e veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve institucionalë që ishin marrë me rastin.

“Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për të bërë hetime në raport me veprimet dhe mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se hetimet duhet të përfshijnë zyrtarë të niveleve të ndryshme, përfshirë kryeprokurorë, prokurorë, punonjës policie dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Haxhiu kërkoi gjithashtu që të gjithë zyrtarët që do të thirren për të dëshmuar para Komisionit Hetimor të paraqiten dhe t'u përgjigjen pyetjeve të anëtarëve.

Mbledhja e radhës e Komisionit është caktuar për të premten, kur do të diskutohet plani i veprimit. Anëtarët kanë kërkuar edhe raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shqyrtuar mënyrën se si është trajtuar rasti.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pasi kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës në familje. Pas vrasjes së saj, u pezulluan 13 zyrtarë, mes tyre dy prokurore dhe 11 punonjës policie, lidhur me mënyrën se si ishte trajtuar rasti.

Për vrasjen akuzohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, ishte ndaluar për kanosje. Të dy ndodhen në paraburgim.