Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të hënë reformën e re të administratës publike, të quajtur “Shkalla e Meritës”, duke shpjeguar mënyrën se si do të funksionojë dhe ndryshimet që synon të sjellë në sistemin e administratës shtetërore. Kreu i qeverisë foli gjithashtu për procesin e vlerësimit të drejtuesve dhe dorëheqjet e disa prej tyre nga postet që mbanin pak ditë më parë.
”Dhjetë ditë më parë, qindra drejtues iu nënshtruan një procesi vlerësimi të rezultateve në punë. Nuk është garë për të parë sa drejtues largohen apo për të ndryshuar emra, hiq Colin dhe sill Lolin.
Është kërkesë për të parë ku ka çaluar puna dhe ku ka prodhuar më keq rezultate për shtetin. Aty ku problemet përsëriten duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe procesin e negociatave me BE-në”, tha Rama.
