Kryeministri Edi Rama prezantoi mënyrën se si do të funksionojë “Shkalla e Meritës”, reforma që synon të garantojë promovimin në administratën publike mbi bazën e aftësive dhe profesionalizmit. Punonjësit do t'i nënshtrohen një provimi kombëtar unik, të organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas modelit të Cambridge. Ata që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për 4 vite, e cila do t'u mundësojë pjesëmarrjen në konkurset për ngritjen në detyrë.
"Së pari, te hyrja e administratës. Përmes testimit kombëtar, një provimi kombëtar unik, kandidatët do të kenë mundësinë të dëshmojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përpara një standardi të përbashkët dhe ky testim kombëtar do të bëhet duke bashkëpunuar me Qendrën e Shërbimeve Arsimore e cila po adopton tanimë modelin e provimeve të Cambridge-it. Provime të sekretuara, standard i barabartë dhe gjithçka përmes teknologjisë në hapin e parë.
Ata që e kalojnë me sukses pajisen me një çertifikatë të vlefshme për katër vjet e cila u mundëson të marrin pjesë për konkurrimet për pozicionet përkatëse. Certifikata e provimit nuk të jep automatikisht një vend pune, por krijon një bazë më të drejtë dhe më të besueshme për konkurrimin. Një i ri kudo që jeton në Shqipëri nuk duhet ta shohë hyrjen në administratë si një derë për të cilën duhet të gjejë dikë që t'ia hapë. Ai duhet ta dijë se ka një rrugë të qartë ku ai mund të provojë atë që di dhe atë që është i aftë të bëjë. Dhe me këtë logjikë ne do të vendosim në dispozicion të të gjithëve këtë derë, derën e provimit unik kombëtar.
Së dyti, përparimi gjatë karrierës. Meritokracia. Flitet shumë për meritokraci. Ka shumë ankesa dhe ka shumë thellësi ndjesia se nuk ka meritokraci, por meritokracia nuk duhet të jetë vetëm një kërkesë që shteti i bën nëpunësit, por duhet të jetë dhe garancia që shteti i jep atij, duke afirmuar në vazhdimësi se puna e mirë njihet dhe se aftësia është kushti i panegociueshëm për ngjitje në shkallët e karrierës.
Së treti, te drejtimi, këtu do jemi dhe më kërkues. Kjo lidhet dhe me një çështje që ka marrë rëndësi të veçantë në zhvillimet e fundit, përgjegjësinë për drejtimin e institucioneve. Rreth 10 ditë më parë, drejtues të një numri institucionesh që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejtë për qytetarët, i janë nënshtruar një proces i vlerësimit të rezultateve në punë. Kjo nuk është aspak një lëvizje e panatyrshme, as një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në kryet institucioneve, apo hiq Colin dhe sill Lolin, është një kërkesë për të parë me një sy më kritik se ku drejtimi ka prodhuar rezultatet dhe ku ka prodhuar vetëm rutinë ose më keq akoma kosto për imazhin e institucioneve të atij shtetit.
Aty ku ka profesionalizëm e rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja pa cënuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama për administratën: Provim kombëtar unik sipas modelit të Cambridge, emërime e promovime sipas ‘Shkallës së Meritës’! Edhe regjistër talentesh






