Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca konfirmon për Gazeta Shqiptare se mbrëmjen e së premtes më 30 tetor, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka zhvilluar një vizitë urgjente në burgun e Fierit. Vizitë e cila nuk figuron e regjistruar në fletoren e burgut. Bëhet me dije se Gogu ishte veshur sportiv dhe mbante një kapele në kokë atë mbrëmje kur mbërriti në ambientet e burgut.
Në një bisedë mes të dyve në dhomën e izolimit të Veliajt, ministri i Drejtësisë i ka përcjellë porosit ë dhe kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.
Gogu i ka thënë Veliajt se kishte disa gjëra që ishte i detyruar t’ia përcillte.
“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:
‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem vetëm si kryeministër.
-Dorëzo mandatin urgjentisht.
-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.
-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.
“Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nisë hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg”.
Ndërkohë, mësohet se Veliaj është përgjigjur menjëherë dhe i ka thënë ministrit të Drejtësisë se; “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ia marr fytyrën fëmijëve të mi”.
Ngjarja është zhvilluar brenda pak minutash. Vetëm mëngjesin e sotëm, Veliaj ka mundur të kontaktojë avokatin e tij, Plarent Ndreca, duke ndarë me të edhe detajet e vizitës. Sipas pretendimeve të bëra, ngjarja ngre pikëpyetje jo vetëm për rolin e ministrit të Drejtësisë, i cili akuzohet se ka përcjellë mesazhin, por edhe për përfshirjen e kryeministrit Edi Rama, ndaj të cilit ngrihen akuza për përdorimin e emrit të SPAK-ut në kontekstin e presioneve ndaj kryebashkiakut i cili mbahet pas hekurave prej datës 10 shkurt 2025.






