Ryanair po shqyrton mundësinë e një ngrirjeje të përkohshme të pagave për stafin, me qëllim përballimin e rritjes së ndjeshme të kostove të karburantit, që janë shtuar pas luftës të SHBA-së në Iran. Kompania ajrore deklaroi se pret që çmimet e karburantit të mbeten të larta "gjatë gjithë periudhës deri në vitin 2027", përveçse nëse gjendet një "zgjidhje e shpejtë" për konfliktin. Ryanair njoftoi se fatura e saj për karburantin parashikohet të jetë 2 miliardë euro më e lartë në plan afatshkurtër, ndaj pret që çmimet e biletave të avionit në Evropë të rriten për të ndihmuar në mbulimin e kësaj kostoje. Megjithatë, kompania theksoi se kjo ka gjasa të mos mjaftojë dhe, krahas masave të tjera, po shqyrtohet mundësia e "ngrirjes së përkohshme të pagave". Kompania ajrore bëri të ditur se fitimet e saj ranë me 16%, duke zbritur në 2,4 miliardë euro gjatë gjashtëmujorit që përfundoi në fund të shtatorit; kjo rënie i detyrohet kryesisht kostove më të larta të karburantit, të cilat u rritën me 15%. Ryanair sqaroi se, ndonëse 80% e faturës së karburantit ishte e "siguruar", pra, e blerë paraprakisht me çmime fikse, kostoja për pjesën e mbetur është dyfishuar. Çmimet e karburantit të avionëve janë rritur ndjeshëm këtë vit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, e cila ka ulur ndjeshëm furnizimin me produkte të rafinuara nga rajoni i Gjirit dhe ka shtuar konkurrencën për produktet e prodhuara në rajone të tjera. Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O'Leary, deklaroi muajin e kaluar se pret që kompania e tij, si dhe linjat e tjera ajrore, t'i rrisin çmimet e biletave me 15% deri në 20% vitin e ardhshëm.