Në një kohë kur studentët kanë dalë në protestë dhe kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama, ka folur për ndryshimet që synon të ndërmarrë në sistemin e administratës publike, duke premtuar se punësimi dhe promovimi do të bazohen te meritokracia.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te sistemi i provimit unik dhe mekanizmi i promovimit në administratë, duke theksuar se ndërhyrjet në këto procese do të jenë të pamundura.
Të lidhura
None found
Kryeministri bëri gjithashtu të ditur se, në këtë proces do të përdoret Inteligjenca Artificiale, për të identifikuar problematikat dhe për të garantuar më shumë transparencë.
“Me Besën kemi synuar të ndryshojmë marrëdhëniet me qytetarit me shërbimin, dhe me pasqyrën fokusohemi te transparenca dhe me shkallën e meritës, vlerësimin e kapitalit njerëzor. Kur ishin duke hyrë në procesin për negociatat, kam thënë se negociatat do hapen por si do ia bëjmë kur të ulemi në tryezë dhe këtu është fjala për disiplinën që kërkon procesi. Administrata jonë ka njerëz që përballen me ekspertë të Komisionit Evropian me dinjitet”, tha ai, duke shtuar: “Llogaridhënia nuk mund të fillojë kur problemet bëhen publike, por duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit. Krijimi i administratës publike jep mundësi për menaxhim të qartë. Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës. Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?
Pjesë e kësaj reforme është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, që i përkushtohet administratës dhe mirëqeverisjes, përfshirë organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor dhe përgjegjësinë e secilit brenda administratës ndaj qytetarit që troket, kërkon t’i qahet halli dhe kërkon që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë”.








