Studimi: Burrat shkaktojnë më shumë aksidente rrugore se gratë

Meshkujt përfshihen në më shumë aksidente rrugore dhe shkaktojnë pasoja më të rënda se femrat. Ky është përfundimi i të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave në Gjermani, në prag të Ditës së Burrave.
Sipas statistikave për vitin 2025, tre në katër viktima të aksidenteve fatale rrugore ishin meshkuj. Gjithashtu, burrat përbënin 64% të të plagosurve rëndë dhe 57.1% të personave që pësuan lëndime të lehta. Për çdo 100 mijë banorë, gjatë vitit të kaluar u plagosën 526 burra dhe 369 gra. Numri i viktimave u rrit krahasuar me vitin pararendës, me pesë raste për 100 mijë banorë te meshkujt dhe dy te femrat.
Sipas autoriteteve statistikore, një nga arsyet lidhet me faktin se meshkujt qarkullojnë më shpesh në rrugë dhe përdorin më shumë mjete që mund të shkaktojnë pasoja të rënda në aksidente, siç janë motoçikletat. Megjithatë, të dhënat tregojnë gjithashtu se burrat janë më shpesh përgjegjës për aksidentet me të lënduar. Në vitin 2025, ata rezultuan shkaktarë në 56.1% të këtyre aksidenteve.
Statistikat tregojnë edhe dallime në shkeljet e rregullave të qarkullimit. Për të dyja gjinitë, gabimet më të shpeshta lidhen me kthesat, kryqëzimet, manovrat e kthimit dhe lëvizjen mbrapsht. Te meshkujt, pasojnë shpejtësia e tepërt dhe mosmbajtja e distancës së sigurisë, ndërsa te femrat renditen mosdhënia e përparësisë dhe distanca e pamjaftueshme nga automjeti përpara.
Dallimet janë edhe më të theksuara te të rinjtë. Gjatë vitit 2025, rreth 28.600 meshkuj të moshës 15 deri në 20 vjeç u përfshinë në aksidente rrugore, 70.5% më shumë se femrat e së njëjtës grupmoshë. Po ashtu, 161 të rinj humbën jetën në aksidente, pesë herë më shumë se numri i viktimave femra në të njëjtën grupmoshë.




