“SMS mashtruese në emër të bankave”, Policia e Shtetit: Mos klikoni, synojnë të vjedhin paratë

2 Nëntor 2026 | 14:16

Policia e Shtetit ka ngritur shqetësimin për qarkullimin e disa sms-ve mashtruese që dërgohen në emër të institucioneve bankare, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.

Policia paralajmëron qytetarët për skemën e njohur si “Smishing”, ku qytetarët nxiten të klikojnë në lidhje të falsifikuara dhe të kryejnë verifikimin e identitetit brenda një afati të shkurtër, që sipas njoftimit të policisë, rrezikon humbjen e parave nga llogaritë e tyre bankare.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik, paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve telefonike (SMS) mashtruese, të cilat dërgohen në emër të institucioneve të ndryshme bankare, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare, si dhe përvetësimin e paligjshëm të fondeve nga llogaritë e qytetarëve.

Nga rastet e evidentuara, rezulton se qytetarëve u dërgohen SMS nga numra të ndryshëm telefoni, në të cilat autorët prezantohen në mënyrë të rreme si institucione bankare, duke i njoftuar se duhet të kryejnë verifikimin e identitetit brenda një afati të shkurtër kohor, zakonisht 24 ose 31 orë.

Në përmbajtje të këtyre mesazheve vendosen lidhje elektronike (linke), të cilat nuk u përkasin faqeve zyrtare të bankave, por synojnë t’i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara, të krijuara për të përvetësuar të dhënat e tyre.

Kjo formë mashtrimi kibernetik, e njohur si “Smishing”, synon të shfrytëzojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve bankare dhe ndjesinë e urgjencës që krijohet nga afatet e vendosura në mesazhe.

Nëpërmjet këtyre faqeve, autorët synojnë të sigurojnë të dhëna të ndjeshme, si numrat e kartave bankare, fjalëkalimet e shërbimeve bankare online dhe kodet e verifikimit. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për të siguruar akses të paautorizuar në llogaritë bankare të qytetarëve dhe për të kryer transaksione financiare, duke përvetësuar fondet e tyre.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin këto masa parandaluese:

-Mos klikoni në lidhjet elektronike që përmbajnë SMS-të e dyshimta, pavarësisht se në përmbajtjen e tyre mund të shfaqet emri i një banke të njohur.

-Mos jepni në asnjë rast të dhënat e kartave bankare, fjalëkalimet, PIN-et apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve.

Mos u ndikoni nga mesazhet që vendosin afate kohore për verifikimin e identitetit apo paralajmërojnë kufizimin e shërbimeve bankare.

-Verifikoni çdo komunikim të dyshimtë drejtpërdrejt me bankën tuaj, nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit.

-Nëse keni vendosur të dhënat tuaja bankare në një lidhje të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për të kërkuar bllokimin e kartës apo të aksesit në llogari dhe raportoni rastin në Polici.

Policia e Shtetit sqaron se përdorimi i emrit të një institucioni bankar në një SMS nuk do të thotë se mesazhi është dërguar nga vetë banka. Qytetarët duhet të verifikojnë gjithmonë burimin e komunikimit dhe adresën elektronike përpara se të ndërmarrin çdo veprim.

Strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik vijojnë punën për evidentimin dhe hetimin e këtyre veprimtarive kriminale, identifikimin e autorëve dhe parandalimin e dëmeve financiare ndaj qytetarëve.

Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë marrë mesazhe të tilla apo kanë rënë viktimë e këtyre skemave mashtruese, të denoncojnë rastet pranë strukturave të Policisë, duke ruajtur mesazhet, numrat e telefonit nga të cilët janë dërguar dhe lidhjet elektronike që ato përmbajnë.

Mbrojtja e të dhënave bankare fillon nga kujdesi i secilit prej nesh. Mos klikoni në lidhje të dyshimta dhe mos ndani të dhënat tuaja financiare!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Reforma “Shkalla e Meritës”, Rama: Krijohet Ministria e Administratës Publike

Kryeministri Edi Rama prezantoi reformën e re të quajtur “Shkalla e Meritës”, të cilën ai thekson se synon të garantojë punësimin dhe promovimin në hierarkinë...
13:43 | 02/11/2026

Grabitja, reagon Raiffeisen Bank: Nuk ka të lënduar! Siguria, prioriteti ynë

Raiffeisen Bank Shqipëri ka reaguar pas grabitjes së ndodhur në një nga degët e saj, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Në reagim,...
13:43 | 02/11/2026

Përfundon bojkoti në Universitetin e Korçës, studentët rikthehen në auditorë

Pas disa ditësh bojkot, studentët e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë do t’i rikthehen procesit mësimor ditën e hënë. Vendimi për rifillimin e mësimit...
13:15 | 02/11/2026