Studentët duan të largohen, Rama hedh “grepin” e punësimit në administratë
Ndërsa studentët vijojnë protestat dhe kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet me një tjetër premtim, këtë herë për mundësi punësimi dhe karriere në administratën publike.
Gjatë prezantimit të reformës për administratën shtetërore, Rama foli për një sistem të ri rekrutimi dhe promovimi, i cili sipas tij do të mbështetet te meritokracia dhe do të shmangë ndërhyrjet politike apo favorizimet gjatë përzgjedhjes së punonjësve.
Në qendër të mekanizmit të paralajmëruar është provimi unik dhe ajo që kryeministri e cilësoi si Shkalla e Meritës, përmes së cilës synohet që punësimi dhe avancimi në institucionet publike të lidhen me aftësitë dhe rezultatet profesionale.
Rama njoftoi gjithashtu se në këtë proces do të përfshihet edhe Inteligjenca Artificiale, e cila do të përdoret për të identifikuar problematikat dhe për të monitoruar lëvizjet brenda administratës. Sipas tij, teknologjia do të ndihmojë në garantimin e transparencës, nga momenti i punësimit deri te promovimi apo largimi nga detyra.
Kryeministri pretendoi se sistemi i ri do ta bëjë të pamundur ndërhyrjen në procedurat e rekrutimit dhe promovimit, ndërsa theksoi se vendimmarrja përfundimtare do të mbetet përgjegjësi njerëzore dhe ligjore, jo e Inteligjencës Artificiale.
“Do të jetë e pamundur të ndërhyhet në sistemin e provimit unik dhe në të gjithë mekanizmin e promovimit sipas meritës që ne po krijojmë me Shkallën e Meritës”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se përdorimi i Inteligjencës Artificiale do të mundësojë evidentimin në kohë të problematikave që mund të mos konstatohen nga mekanizmat e zakonshëm të kontrollit.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur studentët kanë dalë në rrugë me kërkesa të drejtpërdrejta politike, ku ndër kryesoret është edhe dorëheqja e Ramës. Në njërën anë, protestuesit kërkojnë largimin e tij, ndërsa në anën tjetër kreu i qeverisë prezanton mundësi punësimi në administratë, duke vendosur meritokracinë dhe karrierën shtetërore në qendër të mesazhit të tij.
Premtimi për punësime pa ndërhyrje politike mbetet tashmë për t’u provuar në praktikë, ndërsa pyetja kryesore është se si do të zbatohet ky mekanizëm dhe nëse do të garantojë realisht mundësi të barabarta për të rinjtë që synojnë të punësohen në institucionet publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



