Në ditën e 21-të të revoltës studentore kundër qeverisë së Edi Ramës, tensionet janë zhvendosur edhe pranë Ministrisë së Arsimit, ku studentët e Universitetit të Arteve kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste.
Por edhe ndaj një grupi të vogël protestuesish, Policia ka ndërhyrë duke u kërkuar të largohen nga rruga.
Në pamjet e ardhura në redaksinë e SYRI-t, dëgjohen debatet mes studentëve dhe efektivëve të policisë, ku njëri prej tyre përdor edhe tone kërcënuese ndaj protestuesve.
Studentët kundërshtojnë presionin policor, duke theksuar se nuk po pengojnë askënd, ndërsa qytetarët ndërhyjnë në debat për mënyrën e komunikimit të efektivëve.
Kujtojmë se një pjesë e madhe e studentëve të universiteteve të tjera po marshojnë nëpër rrugët e Tiranës, pasi shkuan nga njëri fakultet në tjetrin për të kërkuar mbështetjen e studentëve të tjerë që akoma nuk i ishin bashkuar revoltës së ditës së sotme.
Debati te Ministria e Arsimit:
Policia: Hapni rrugën, pasi bllokimi i rrugës është kundravajtje administrative sipas akteve normative në fuqi.
Qytetari protestues: Janë 10 veta, nuk i përballoni dot 10 veta aty. Të rrinë aty asnjërit s’po i prishin punë. Le të kalojnë… ka rrugë aty…
Protestuesi tjetër: Lejohet të rrimë këtu…. Nëse rrimë këtu do ketë shoqërime? Nëse rrimë në mes të rrugës…
Polici: Ta tregoj unë kush jam…
Qytetarja: Mos në fol në rrëzë të veshit…
© SYRI.net