Kryeministri Edi Rama prezantoi mënyrën se si do të funksionojë “Shkalla e Meritës”, reforma që synon të garantojë promovimin në administratën publike mbi bazën e aftësive dhe profesionalizmit. Punonjësit do t’i nënshtrohen një provimi kombëtar unik, të organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas modelit të Cambridge. Ata që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për 4 vite, e cila do t’u mundësojë pjesëmarrjen në konkurset për ngritjen në detyrë.
“Provim kombëtar unik, ku kandidatët do të dëshmojnë njohuritë. Ky test do të bëhet së bashku me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që po adopton modelin e provimeve të Cambridge. Standard i barabartë dhe gjithçka përmes teknologjisë. Ata që kalojnë, marrin një certifikatë për 4 vite, që u mundëson të marrin pjesë në konkurrimin për pozicionin përkatës, duke krijuar një bazë më të drejtë dhe më të besueshme për konkurrimin. Ne do ta vendosim në dispozicion të të gjithëve këtë të drejtë, derën e provimit unik kombëtar.
Përparimi gjatë karrierës. Flitet për meritokraci, ka shumë mangësi dhe thellësisht ndjesia është që s’ka meritokraci. Do të jetë garancia që shteti i jep atij, duke afirmuar se puna e mirë njihet dhe aftësia është kushti për ngjitjen në shkallët e karrierës.
Së treti, te drejtimi. Nuk është garë për të parë sa drejtorë do të largohen nga detyra, as ushtrim për të ndryshuar emra, hiq Lolin apo vër Colin. Kërkesë për të parë se ku drejtimi ka prodhuar rezultate dhe ku ka prodhuar rutinë apo kosto. Aty ku ka profesionalizëm, duhet njohur dhe mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten, duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe punën, por edhe procesin e negociatave me BE-në”, tha Rama.


