Kryeministri Edi Rama ka prezantuar mënyrën se si do të funksionojë reforma e quajtur “Shkalla e Meritës”, e cila synon të vendosë aftësitë dhe profesionalizmin në themel të hyrjes, zhvillimit të karrierës dhe promovimit në administratën publike.
Sipas skemës së prezantuar nga Rama, kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e administratës do t’i nënshtrohen një provimi kombëtar unik, i cili do të organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, duke adoptuar modelin e provimeve të Cambridge-it. Testimi do të zhvillohet në kushte të standardizuara, me provime të sekretuara dhe përmes teknologjisë.
Kandidatët që kalojnë me sukses provimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vite, e cila do t’u japë të drejtën të marrin pjesë në konkurset për pozicionet përkatëse në administratën publike.
Rama theksoi se certifikata nuk garanton automatikisht një vend pune, por krijon kushte më të barabarta për konkurrim, pavarësisht vendbanimit apo mundësive të kandidatëve për të krijuar kontakte brenda institucioneve.
“Një i ri kudo që jeton në Shqipëri nuk duhet ta shohë hyrjen në administratë si një derë për të cilën duhet të gjejë dikë që t’ia hapë. Ai duhet ta dijë se ka një rrugë të qartë ku ai mund të provojë atë që di dhe atë që është i aftë të bëjë”, u shpreh kryeministri.
Faza e dytë e reformës lidhet me përparimin në karrierë dhe zbatimin e parimit të meritokracisë. Sipas Ramës, vlerësimi i punës dhe aftësive duhet të jetë një garanci që shteti u jep punonjësve, duke bërë të mundur që performanca dhe profesionalizmi të përcaktojnë ngritjen në detyrë.
“Meritokracia nuk duhet të jetë vetëm një kërkesë që shteti i bën nëpunësit, por duhet të jetë dhe garancia që shteti i jep atij, duke afirmuar në vazhdimësi se puna e mirë njihet dhe se aftësia është kushti i panegociueshëm për ngjitje në shkallët e karrierës”, deklaroi Rama.
Pjesa e tretë e reformës do të përqendrohet te drejtuesit e institucioneve dhe përgjegjësia e tyre për rezultatet në punë. Kryeministri bëri të ditur se rreth dhjetë ditë më parë, drejtues të disa institucioneve që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët iu nënshtruan një procesi vlerësimi të performancës.
Ai sqaroi se ky proces nuk synon thjesht largimin e drejtuesve apo zëvendësimin e tyre me emra të rinj, por identifikimin e institucioneve ku drejtimi ka prodhuar rezultate dhe atyre ku është krijuar vetëm rutinë apo janë shkaktuar probleme që dëmtojnë imazhin e institucioneve.
“Aty ku ka profesionalizëm e rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja pa cenuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian”, përfundoi Rama.
Reforma synon të ndërhyjë në tri nivele të administratës publike: pranimin e punonjësve përmes një testimi të përbashkët, promovimin mbi bazën e meritës dhe vlerësimin e drejtuesve sipas rezultateve të arritura.
