Kuvendi nis hetimin për rastin e Arlinda Zekajt, Haxhiu kërkon përgjegjësi penale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi që Prokuroria Speciale të hetojë veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve institucionalë në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.
Kërkesa e saj erdhi më 2 nëntor, në ditën kur nisi punën komisioni hetimor parlamentar për shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale në këtë rast.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se hetimi parlamentar duhet të shoqërohet me veprime konkrete nga organet e drejtësisë.
“Do të duhej që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, komisioni parlamentar do të jetë një mekanizëm shtesë për shqyrtimin e rastit dhe përgatitjen e një raporti që do t’i përcillet prokurorisë kompetente.
Ajo kërkoi që të gjithë personat që do të thirren për të dëshmuar para komisionit, t’u përgjigjen kërkesave të tij.
Haxhiu përshëndeti pezullimin e 11 zyrtarëve policorë, të kryeprokurores së Pejës dhe të prokurores që kishte trajtuar rastin, por kritikoi institucionet e tjera për mungesë veprimi.
“Mbetem me shqetësim se pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka vepruar dhe as Komuna e Pejës”, tha ajo, duke kërkuar masa edhe ndaj zyrtarëve komunalë përgjegjës për mirëqenien sociale.
“Ky rast duhet të na shërbejë që asnjëherë në të ardhmen të mos kemi zyrtarë që nuk e kryejnë detyrën e tyre”, shtoi Haxhiu.
Çfarë do të hetojë komisioni?
Komisioni hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt nisi punën më 2 nëntor, katër ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi themelimin e tij me 90 vota pro.
Hetimi do të përqendrohet në veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që kanë trajtuar rastin e Zekajt, por edhe më gjerësisht në trajtimin institucional të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, tha se hetimi do të mbështetet në fakte dhe prova, duke kërkuar që puna e tij të mos politizohet.
Sipas Ramadanit, procesi do të zhvillohet në tri faza: mbledhjen e provave, vlerësimin e tyre dhe përgatitjen e raportit përfundimtar.
Komisioni përbëhet nga 11 deputetë të pushtetit, opozitës dhe komuniteteve joshumicë, ndërsa, sipas Ligjit për Hetim Parlamentar, ka gjashtë muaj kohë për t’ia paraqitur Kuvendit raportin përfundimtar.
Paralajmërimet që i paraprinë vrasjes
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj.
Para se të vritej, ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) nxorën në pah një varg lëshimesh në trajtimin e rastit.
Sipas IPK-së, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i 16 tetorit, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë, pas ndërhyrjes së Inspektoratit.
Po ashtu, drejtuesit policorë në Pejë nuk kishin trajtuar një kërkesë të hetuesit, të dërguar më 23 tetor, për rivlerësimin e rastit dhe shtimin e masave të sigurisë për Zekajn.
Pas vrasjes, 11 zyrtarë policorë u pezulluan nga detyra, përfshirë drejtues të Policisë në Pejë.
Masa të ngjashme u ndërmorën edhe ndaj kryeprokurores së Pejës dhe prokurores që kishte trajtuar rastin.
Më 30 tetor, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale.
Vrasja nxiti protesta në disa qytete të Kosovës dhe kërkesa për llogaridhënie nga institucionet që kishin trajtuar paralajmërimet e viktimës.
Komisionet hetimore, me pak rezultate ndër vite
Komisioni për rastin e Arlinda Zekajt nis punën pas një përvoje të Kuvendit të Kosovës me hetimet parlamentare, të karakterizuar nga rezultate të kufizuara dhe përplasje politike.
Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të publikuar në dhjetor të vitit 2024, nga viti 2001 deri atëherë ishin themeluar 15 komisione hetimore parlamentare, por shumica nuk kishin arritur të zbardhnin faktet për çështjet që kishin marrë përsipër t’i hetonin.
Raporti identifikon mungesën e vullnetit politik, bojkotet, mungesën e kuorumit dhe mangësitë ligjore si disa nga pengesat kryesore për funksionimin e tyre.
Sipas IKD-së, komisionet shpesh janë shndërruar në arena përplasjesh mes pushtetit dhe opozitës, në vend që të shërbenin si mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies.
Një nga rastet e analizuara është hetimi parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në vitin 2018.
Megjithëse Kuvendi miratoi raportin e komisionit, IKD-ja konstatoi se për më shumë se pesë vjet, Kuvendi dhe Qeveria nuk kishin arritur të adresonin problemet e identifikuara dhe të miratonin Ligjin për të Huajt.
Instituti kërkoi ndryshime në Ligjin për Hetim Parlamentar, përfshirë përcjelljen e raporteve te Prokurori i Shtetit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe krijimin e mekanizmave për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve.
Edhe Komisioni Evropian, në raportin e vitit 2024 për Kosovën, konstatoi se Kuvendi nuk kishte arritur t’i shfrytëzonte në mënyrë efektive komisionet hetimore parlamentare të themeluara me nismën e opozitës.
Kjo përvojë ngre pikëpyetje edhe për efektin që mund të ketë komisioni për rastin Zekaj: nëse do të arrijë të identifikojë përgjegjësitë institucionale dhe të nxisë ndryshime konkrete për mbrojtjen e viktimave të dhunës, apo do të përfundojë pa rezultate të prekshme./Marrë nga REL




