Bota

Vendet e Gjirit Persik po armatosen, frikë për një “ringjallje” të konfliktit SHBA-Iran

Frika e një përshkallëzimi të ri ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka përfshirë rajonin e Gjirit Persik. Gjatë konferencës ndërkombëtare të sigurisë “Manama Dialogue”, të zhvilluar në Bahrein, zyrtarë dhe analistë paralajmëruan se një raund i ri luftimesh mund të nisë së shpejti.

Analistët e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike kanë dalë në përfundimin se sinjalet nga administrata amerikane dëshmojnë qartë gjasat e përgatitjeve të mundshme për një tjetër goditje ushtarake ndaj Iranit.

Përballë këtyre shqetësimeve, shtetet e Gjirit Persik kanë shtuar investimet në mbrojtje, duke blerë sisteme moderne ushtarake, teknologji kundër dronëve dhe duke forcuar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë. Një përshkallëzim i ri do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për ekonominë botërore.

Përfaqësuesi gjerman Nils Schmid paralajmëroi se konflikti ka ndikuar tashmë në rritjen e çmimeve të naftës, inflacionit dhe dobësimin e ekonomisë. Për këtë arsye, Gjermania dhe vendet e tjera europiane mbështesin një zgjidhje diplomatike të ngërçit.

Ndërkohë, vendet arabe të Gjirit po kërkojnë të diversifikojnë partneritetet e tyre të sigurisë, pasi janë shtuar dyshimet për mbështetjen afatgjatë vetëm te SHBA-ja. Në këtë kuadër po zhvillohen bashkëpunime të reja me Turqinë, Pakistanin dhe Korenë e Jugut, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe po investojnë edhe në teknologjinë izraelite.

Pavarësisht tensioneve, përpjekjet diplomatike për të shmangur një konflikt të ri vijojnë, e Katari është angazhuar aktualisht në bisedime si me palën iraniane, ashtu edhe me SHBA-në.