Aktualitet

Shqiptarët frenojnë shpenzimet, familjet druhen nga blerjet e mëdha. Bie besimi te ndërtimi dhe tregtia

Një blerje e madhe, një investim për shtëpinë apo edhe ndërrimi i makinës janë vendime që familjet shqiptare duket se po i peshojnë gjithnjë e më shumë.

Pavarësisht një përmirësimi të lehtë të besimit te ekonomia, qytetarët edhe për muajt e fundit të vitit vijojnë të tregohen të kujdesshëm me shpenzimet ndërsa edhe bizneset nuk kanë të njëjtin optimizëm për muajt në vijim.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për muajin tetor tregon se besimi konsumator u rrit me 1.1%. Përmirësim kanë shënuar edhe pritjet për financat familjare dhe situatën e përgjithshme ekonomike.

Por kur qytetarët pyeten për blerjet e mëdha, treguesi mbetet në nivele negative. Edhe pse më mirë se një muaj më parë, familjet ende hezitojnë të kryejnë shpenzime të konsiderueshme.

Në sektorin e biznesit panorama e besimit në ekonomi na shfaqet e ndarë. Ndërtimi pësoi rënien më të fortë të besimit me 5.7% i ndjekur nga tregtia me 3.5% ku janë dobësuar vlerësimet për shitjet dhe pritjet për punësimin.

Në të kundërt industria dhe shërbimet shënuan përmirësim përkatësisht me 2.5 dhe 3.2%. Niveli i porosive të përgjithshme në industri është vlerësuar me përmirësim të lehtë, ndërkohë që porositë nga eksportet janë vlerësuar me rënie.

Ndërsa në sektorin e  shërbimeve bizneset shprehen optimiste për nivelin e kërkesës dhe për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre.

Në total treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 0.4% dhe qëndron mbi mesataren historike por ky përmirësim nuk reflektohet njësoj te konsumatorët dhe të gjithë sektorët e ekonomisë.

BESIMI TEK KONSUMATORËT
(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Gusht  0.8%
Shtator  2.3%
Tetor   1.1%

 

SEKTORËT ME RËNIE TË BESIMIT
(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Ndërtimi             -5.7%
Tregtia                   -3.5%

 

TREGUESI I NDJESISË EKONOMIKE
(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Janar              110.24
Shkurt            107.43
Mars                107.9
Prill                 106.22
Maj               107.16
Qershor          106.37
Korrik              105.35
Gusht           107.51
Shtator          107.80
Tetor             108.34