Dronët ukrainas goditën një impiant nafte në rajonin e Samarës, në qytetin Prosvet, rreth 835 kilometra në verilindje të kufirit, gjatë një sulmi të kryer natën.

Pamjet e filmuara nga dëshmitarë okularë, banorë të zonës, tregojnë tym që ngrihet mbi qytet në orët e para të agimit. Kyiv Independent thekson se nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur objektivat e goditura apo shkallën e dëmeve të shkaktuara nga sulmet.

Impianti i Prosvetit, një nyje kyçe e rrjetit rus të naftësjellësve, përzien naftën që vjen nga Siberia Perëndimore dhe rajone të tjera prodhuese të Rusisë, me qëllim prodhimin e karburantit për eksport dhe për furnizimin e forcave të armatosura ruse.

Sulmi vjen në një kohë kur shba kanë kërkuar ndërprerjen e këtyre sulmeve të cilat Ukraina mesa duket do ti ndërpresë me kusht.

Në një intervistë të dielën për televizionin amerikan Fox News, Zelensky bëri të ditur se kishte zhvilluar disa biseda me Trumpin dhe ekipin e tij lidhur me këtë çështje.

"Ne u thamë nëse dëshironi që të ndalojmë sulmet ndaj rafinerive ruse, atëherë edhe ata duhet të ndalojnë sulmet ndaj sistemit tonë energjetik. Përndryshe, na furnizoni me raketa Patriot. Ne do t’i sigurojmë vetë fondet, nuk po kërkojmë vetëm ndihmë", u shpreh presidenti ukrainas.

Zelensky saktësoi se, nëse Uashingtoni do t'i siguronte këto sisteme raketore, Kievi do të pezullonte për një muaj sulmet ndaj rafinerive ruse.

Raketat Patriot përbëjnë një nga mjetet më të rëndësishme që Ukraina të mundt të interceptojë dronët dhe raketat ruse.

I pyetur nëse kishte frikë se një propozim i tillë mund të interpretohej si një përpjekje për të ushtruar «presion» ndaj Trumpit, Zelensky u përgjigj negativisht.

"Nuk kam asnjë frikë të ndaj të vërtetën me partnerët tanë", deklaroi ai.