Britania e Madhe dhe Gjermania synojnë të thellojnë bashkëpunimin ushtarak përmes zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale (AI), në kuadër të përpjekjeve për të forcuar kapacitetet e tyre të mbrojtjes dhe sigurinë kibernetike.
Lajmi është bërë i ditur nga sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i cili në një shkrim për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, përpara takimit me homologun e tij, Boris Pistorius, në Berlin, njoftoi zgjerimin e projektit të përbashkët të sigurisë kibernetike “Cyber Lighthouse”.
Sipas tij, bashkëpunimi do të përfshijë edhe zhvillimin, testimin dhe përdorimin e përbashkët të teknologjive të inteligjencës artificiale në ushtritë e të dy vendeve.
Përfaqësues të qeverive dhe industrisë së mbrojtjes nga Britania dhe Gjermania pritet të takohen në pranverën e vitit 2027, për të përcaktuar mënyrat konkrete të zbatimit të planit.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura sistemet e inteligjencës artificiale që do të përfshihen në këtë bashkëpunim, as programet konkrete apo buxheti i parashikuar.
Streeting bëri të ditur gjithashtu se kompanitë gjermane kanë zotuar rreth 800 milionë paund, ose afërsisht 956 milionë euro, për industrinë britanike të mbrojtjes që nga nënshkrimi i marrëveshjes së mbrojtjes mes dy vendeve në vitin 2024.
Një prej kompanive të përfshira është edhe Helsing, me seli në Mynih, e cila vitin e kaluar hapi një fabrikë në Plymouth të Britanisë. Kompania prodhon mjete autonome nënujore të pajisura me inteligjencë artificiale, të projektuara për të gjurmuar nëndetëset kundërshtare.
Ndërkohë, përdorimi i inteligjencës artificiale në konfliktet ushtarake po merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka paralajmëruar për rreziqet e garës së armatimit në këtë fushë, duke bërë thirrje për miratimin e rregullave ligjërisht të detyrueshme për sistemet autonome të armëve.
