
Shqipëria mund të përballet me një tjetër mungesë të rëndësishme në prag të dy sfidave të fundit të Ligës së Kombeve. Thomas Strakosha pritet të mos jetë në dispozicion të kuqezinjve për përballjet ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, për shkak të dëmtimit në gju që po i shkakton ende probleme.
Portieri i AEK-ut nuk ishte i pranishëm as në derbin e së dielës kundër Panathinaikosit, duke shtuar dyshimet për rikthimin e tij në kohë për angazhimet e Kombëtares. Më herët, trajneri i klubit grek, Nikolic, kishte shprehur optimizëm, duke deklaruar se priste ta kishte Strakoshën në dispozicion pas ndeshjeve të përfaqësueseve.
31-vjeçari u dëmtua në muajin shtator dhe për këtë arsye humbi edhe katër ndeshjet e Shqipërisë në fund të atij muaji dhe në fillim të tetorit. Fillimisht, rikthimi i tij për takimet e nëntorit dukej i mundshëm, por dëmtimi rezultoi më serioz nga sa ishte parashikuar.
Në këto kushte, alternativa kryesore për portën shqiptare mbetet Etrit Berisha. Gardiani 36-vjeçar ka shlyer pezullimin pas kartonit të kuq të marrë ndaj Finlandës dhe pritet të rikthehet mes shtyllave pikërisht në përballjen me finlandezët.
Berisha vjen gjithashtu nga një moment pozitiv me klubin e tij në Suedi, ku në shtatë ndeshjet e fundit nuk ka pësuar asnjë gol.
Shqipëria do të presë Finlandën më 12 nëntor në “Air Albania”, ndërsa tri ditë më vonë do të luajë në transfertë ndaj Bjellorusisë.
