Opinioni i Bankës së Shqipërisë për projektbuxhetin e vitit 2027 u shoqërua me debate në Komisionin e Ekonomisë, ku deputetët e opozitës kërkuan më shumë sqarime për efektet e paketës fiskale, burimet e rritjes ekonomike dhe mbështetjen për biznesin dhe sektorët prodhues. Në prezantimin e saj zv.guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj vlerësoi se projektbuxheti ruan një kah konsolidues, me deficit 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe investime publike në nivelin 6.8% të PBBs. Por kërkoi më shumë kujdes me qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve, administrimin e borxhit dhe përdorimin me efikasitet të parave.