Detaje të reja dalin lidhur me ngjarjen e rëndë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të pajetë një 27-vjeçar dhe një foshnjë tre muajshe.
Sipas informacioneve të siguruara, 27-vjeçari kishte pasur më parë probleme me drejtësinë. Në qershor të këtij viti, ai ishte dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale të kanosjes ndaj të fejuarës së tij, dënim i cili më pas ishte zëvendësuar me një gjobë prej 1,800 eurosh.
Po ashtu, mësohet se ndaj tij ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje, me kohëzgjatje 12-mujore, në favor të së fejuarës.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, 27-vjeçari kishte qëndruar për rreth dy muaj nën masën e paraburgimit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me rekomandimin e një eksperti psikiatër, pasi dyshohej se kishte përdorur lëndë narkotike.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e rëndë, Policia ka arrestuar babanë 65-vjeçar të viktimës, i cili dyshohet për përfshirje në vdekjen e djalit të tij dhe foshnjës. Ai është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa rasti po hetohet si vrasje e rëndë. 65-vjeçari ka zgjedhur të heshtë para hetuesve.
Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekspertizë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje.
Top Channel
