Binance: Klientët tërhoqën 4.7 miliardë dollarë pas sulmit kibernetik

Klientët e Binance kanë tërhequr pothuajse 5 miliardë dollarë nga platforma më e madhe në botë e shkëmbimit të kriptomonedhave, që kur ajo rifilloi aktivitetin pas sulmit kibernetik, gjatë të cilit u vodhën 6.3 miliardë dollarë në kriptomonedha. Ngjarja mund të jetë grabitja më e madhe financiare në histori.
Klientët kanë tërhequr një shumë neto prej 4.72 miliardë dollarësh që nga heqja e pezullimit të dielën në mëngjes, deklaroi një zëdhënës i kompanisë. Platforma kishte bllokuar tërheqjet për rreth 48 orë pas sulmit, për të cilin FBI deklaroi se ishte kryer nga Koreja e Veriut.
Sipas Binance, dalja neto e fondeve përbënte rreth 2.8% të aktiveve të mbajtura në platformë, një nivel relativisht modest, që sipas analistëve sugjeron se besimi i klientëve është ruajtur në masë të madhe.
Për krahasim, rreth 7 miliardë dollarë u tërhoqën nga monedha e qëndrueshme (stablecoin) USDC e Circle gjatë një jave pas falimentimit të Silicon Valley Bank në vitin 2023. Vetë Binance përjetoi dalje neto prej rreth 6 miliardë dollarësh brenda 72 orëve pas kolapsit të FTX në dhjetor 2022.
“Prioriteti ynë kryesor për momentin është të sigurohemi që mjedisi të jetë i sigurt, pas së cilës përdoruesit mund të tërheqin fondet e tyre dhe Binance mund të rifillojë operacionet”, deklaroi të hënën në një postim në X, Yi He, bashkëdrejtuese ekzekutive e Binance.
Vëllimet e tregtimit u rritën në të gjithë tregun e kriptomonedhave, ndërsa investitorët përpiqeshin të vlerësonin pasojat e asaj që mund të jetë vjedhja më e madhe e kryer ndonjëherë ndaj një institucioni financiar.
Sulmi përfaqëson një përshkallëzim të vjedhjeve të kriptomonedhave nga Koreja e Veriut. Kompania e analizës së blockchain, TRM Labs, deklaroi se hakerët e lidhur me Korenë e Veriut kanë vjedhur 7.4 miliardë dollarë deri tani gjatë vitit 2026.
Binance deklaroi se po i mbulon humbjet me fondet e veta dhe se kishte siguruar tashmë 6 miliardë dollarë nga thesari i kompanisë, një fond sigurimi dhe rezervat e krijuara për të përballuar shkeljet e sigurisë.
“Ende nuk ka shkaktuar panik të përhapur apo tërheqje masive dhe të përqendruara të fondeve”, tha Tim Sun, studiues i lartë në HashKey Group, një kompani shërbimesh financiare për aktivet dixhitale me seli në Hong Kong.
Sun tha se shqetësimet për sigurinë ka të ngjarë të ndikojnë në sasinë e kapitalit që krijuesit e tregut, institucionet dhe investitorët e tjerë do të vendosin në kriptomonedha.
Binance, e cila deklaron se ka më shumë se 335 milionë përdorues në mbarë botën dhe një vëllim mesatar ditor tregtimi prej 95 miliardë dollarësh në aktive dixhitale dhe instrumente derivative, u përpoq gjithashtu të qetësonte klientët.
“Pas një rritjeje fillestare, vëllimet e tërheqjeve kanë rënë dhe po stabilizohen”, deklaroi Binance në X. Një zëdhënës tha se në platformë kishin hyrë 2.7 miliardë dollarë fonde.
Nuk ka nxitim për të tërhequr fondet
Disa tregtarë i thanë Reuters se po i mbanin llogaritë e tyre aktive.
“Nuk do t’i tërhiqja domosdoshmërisht të gjitha fondet nga Binance, sepse platformat e centralizuara të shkëmbimit vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në likuiditetin, tregtimin dhe aksesin në treg”, tha Jay Koh, nënpresident i Asia Web3 AI Association, një organizatë që mbështet teknologjinë blockchain, me seli në Singapor.
Ryan Tan, përdorues i Binance, tha se nuk kishte asnjë nxitim për të tërhequr fondet nga platforma, pasi prej kolapsit të një tjetër platforme kriptomonedhash, FTX, katër vjet më parë, kishte mbajtur një shumë relativisht të vogël në llogarinë e tij.
“Pas kolapsit të FTX, vendosa t’i mbaja të gjitha aktivet në portofolin tim dixhital, në vend që t’i lija në platformat e shkëmbimit”, tha 39-vjeçari.
Pasi arriti nivelin më të ulët të gjashtë javëve të premten, çmimi i Bitcoin u rikuperua gjatë fundjavës, duke u tregtuar rreth 78,000 dollarë të hënën, ndërsa Ether gjithashtu u rimëkëmb nga niveli më i ulët i dy muajve.
Kapitalizimi i tregut të monedhave të qëndrueshme, i cili shpesh përdoret si tregues i lëvizjes së parave drejt tregjeve të kriptomonedhave ose larg tyre, ka rënë që nga e premtja. Kjo sugjeron se disa investitorë i kanë zhvendosur fondet drejt parasë së gatshme ose aktiveve tradicionale.
Binance deklaroi se kishte rifilluar tërheqjet e Bitcoin përmes rrjetit Bitcoin, si dhe të Ether dhe disa monedhave të qëndrueshme të lidhura me dollarin përmes rrjetit Ethereum. Megjithatë, faqja e saj e internetit vazhdonte të tregonte se tërheqjet mbeteshin pjesërisht të pezulluara për shumicën e kriptomonedhave.
Të hënën, platforma riktheu edhe mundësinë e tërheqjes së fondeve në dollarë amerikanë.
Investitorët e mëdhenj po bëhen më të kujdesshëm
Vjedhja në Binance është më e madhja në një seri sulmesh ndaj kriptomonedhave, për të cilat është fajësuar Koreja e Veriut.
FBI deklaroi të shtunën se grupi TraderTraitor, i sponsorizuar nga shteti i Koresë së Veriut, ishte përgjegjës për sulmin. Studiuesit e përshkruajnë grupin si shumë të sofistikuar dhe thonë se aktivitetet e tij ndihmojnë në financimin e programeve të armatimit të vendit.
Analistët thanë se përmasat dhe rëndësia e këtij sulmi mund të kufizojnë interesin e investitorëve institucionalë për kriptomonedhat, mbështetja e të cilëve pritej nga shumë investitorë të ndihmonte në rritjen e çmimeve.
Fondet ETF që investojnë drejtpërdrejt në Bitcoin regjistruan dalje kapitali prej 643 milionë dollarësh të premten, tërheqja më e madhe ditore gjatë tetorit, ndërsa u likuiduan pozicione me levë financiare me vlerë mbi 1.3 miliardë dollarë, sipas Ari Redbord, drejtues global i politikave në kompaninë amerikane të analizës së blockchain, TRM Labs.
“Një sulm kibernetik ndaj një platforme kriptomonedhash është si një grabitje banke me shpejtësinë e internetit, gjë që krijon një profil të paqëndrueshëm rreziku për këdo që është përgjegjës për administrimin e kapitalit të të tjerëve”, tha ai.
Rreth gjysma e fondeve të vjedhura mbaheshin në monedha të qëndrueshme dhe janë ngrirë nga emetuesit e tyre, përfshirë Circle, e cila deklaroi të hënën se kishte ngrirë më shumë se 1.1 miliardë dollarë në USDC.
Jonathan Benton, themelues dhe drejtor ekzekutiv i iSanctuary, një kompani e specializuar në rikuperimin e aktiveve në kriptomonedha, tha se teknologjia për gjurmimin e fondeve të vjedhura ekziston, por sfida qëndron në shndërrimin e këtij informacioni në veprime të shpejta dhe të koordinuara, përpara se këto aktive të zhduken.
“E ardhmja e kriptomonedhave nuk do të përcaktohet nga sasia e parave që hyjnë në treg, por nga niveli i sigurisë së këtyre parave pasi ato të jenë investuar”, tha Benton, ish-drejtues i njësisë së korrupsionit ndërkombëtar në Agjencinë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar. / Reuteraxb
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









