Vrasja e Arlinda Zekajt në Kosovë, Haxhiu: Prokuroria Speciale të përfshihet në hetime

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Prokuroria Speciale të angazhohet në hetimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, duke përfshirë edhe veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve institucionalë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka folur për punën e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili është formuar pas vrasjes së Zekajt dhe që tashmë ka nisur takimet.
Haxhiu ka vlerësuar se hetimi i këtij rasti duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë e institucioneve, përkatësisht veprimet, mosveprimet apo veprimet e gabuara të zyrtarëve të përfshirë.
Sipas saj, angazhimi i Prokurorisë Speciale është i nevojshëm, pasi në këtë rast përmenden zyrtarë të niveleve të larta, përfshirë kryeprokurorë, prokurorë, pjesëtarë të Policisë dhe zyrtarë të tjerë institucionalë.
“Pa dyshim që prokuroria do të duhej të merrej me hetime në këtë rast, përkatësisht do të duhej që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për të bërë hetime në raport me veprimet dhe mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj”, tha Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Komisioni Hetimor do të shërbejë si mekanizëm shtesë për të shqyrtuar rastin dhe për të përgatitur një dokument përfundimtar, i cili më pas do t’i përcillet prokurorisë përgjegjëse.
“Komisioni Hetimor është vetëm një mekanizëm shtesë që do të përpilojë në fund dokument për këtë rast dhe do ta drejtojë në prokurorinë përgjegjëse, uroj që ajo të jetë Prokuroria Speciale, për shkak se këtu përfshihen zyrtarë të lartë, përfshihen kryeprokurorë, prokurorë, policë, zyrtarë të tjerë të institucioneve, prandaj bie në fushëveprimtarinë e kësaj prokurorie”, tha ajo.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua në Deçan, pas dy ditësh në kërkim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



