
Dinamo nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në transfertën ndaj Vorës, në takimin e vlefshëm për javën e 10-të të Abissnet Superiore. Blutë e kryeqytetit ishin shumë pranë marrjes së tri pikëve, por vendasit arritën të shmangnin humbjen në sekondat e fundit të sfidës.
Vora e nisi takimin me ritëm të lartë dhe gjeti golin e avantazhit që në minutën e 13-të. Brajan Gjyli ishte autori i realizimit që ndezi festën te vendasit, por përgjigjja e Dinamos nuk vonoi.
Vetëm tetë minuta më pas, në të 21-ën, Malomo Ayodeji riktheu baraspeshën, duke dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1-1. Me këto shifra u mbyll edhe pjesa e parë.
Pas pushimit, Dinamo u shfaq më kërkuese dhe arriti të përmbyste rezultatin. Florenc Farruku realizoi golin e dytë për miqtë, duke i afruar blutë me një fitore të rëndësishme në transfertë.
Megjithatë, Vora nuk u dorëzua deri në fund. Kur gjithçka dukej e mbyllur, Dario Daka shënoi golin e barazimit në sekondat e fundit, duke i dhënë skuadrës së tij një pikë të rëndësishme dhe duke shkaktuar festë te vendasit.
Pas këtij rezultati, Dinamo mbetet në vendin e tretë të klasifikimit me 17 pikë, ndërsa Vora renditet në pozicionin e gjashtë me 12 pikë.
