Nuk ka fitues në sfidën e javës së 10 të Kategorisë Superiore mes Vorës dhe Dinamos. Të 90 minutat e kësaj ndeshjeje u mbyllën me barazimin 2-2 me të dyja skuadrat që ndanë nga një pikë secila.

Vora e nisi në mënyrë perfekte ndeshjen teksa zhbllokoi rezultatin që në minutën e 13 teksa shënoi me Gjylën për të marrë avantazhin 1-0. Reagimi i Dinamos ishte i menjëhershëm me skuadrën e Ilir Dajës që vetëm 8 minuta më vonë barazoi shifrat në 1-1 me një supergol të Malomos që shënoi me një gjuajtje të fortë nga distanca. Dinamo bëri edhe disa tentativa të tjera, por pjesa e parë u mbyll me barazimin 1-1.

Në pjesën e dytë u pa një ritëm më i ulët, por në minutën e 75 Dinamo përmbysi rezultatin me golin e Farrukut duke marrë kryesimin në rezultat në 2-1. U duk se Dinamo po merrte 3 pikët e kësaj ndeshjeje, por Vora befasoi të besuarit e Ilir Dajës në minutat shtesë duke barazuar shifrat në 2-2 me golin e Dakas dhe ky ishte edhe rezultati përfundimtar i sfidës me Dinamon që shkon në 17 pikë duke ruajtur vendin e tretë, ndërsa Vora shkon në 12 pikë dhe i bashkangjitet Tiranës.

Top Channel