Malisheva dhe Gjilani kanë barazuar në ndeshjet e xhiros së 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës. Malisheva luajti 0:0 me Feronikelin 74 në shtëpi, ndërsa Gjilani barazoi 1:1 në udhëtim te Dukagjini i Klinës.

Malisheva nuk arriti ta shfrytëzonte përparësinë e terrenit vendas, duke u ndalur në barazim pa gola nga Feronikeli 74, në ndeshjen e zhvilluar të dielën pasdite në stadiumin “Liman Gegaj”.

Vendasit krijuan disa raste të mira shënimi, sidomos në pjesën e parë, por nuk arritën të gjenin rrugën drejt golit. Rasti më i mirë për Malishevën erdhi në minutën e 35-të, kur Xhemail Ibishi nuk arriti ta konkretizonte penalltinë, pasi goditja e tij u prit nga portieri i Feronikelit 74.

Edhe mysafirët patën mundësitë e tyre, veçanërisht në pjesën e dytë, me Ibrahim Cërvadikun, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Për Malishevën ky ishte barazimi i tretë në këtë edicion. Me tetë fitore dhe një humbje, ajo vazhdon të kryesojë tabelën me 27 pikë. Prishtina renditet e dyta me 26 pikë, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar, atë kundër kampiones në fuqi, Dritës. Ndërkohë, Feronikeli 74 zë vendin e shtatë me 12 pikë.

Një barazim dramatik u regjistrua në orët e mbrëmjes në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku Dukagjini ishte shumë pranë fitores ndaj Gjilanit. Skuadra vendase udhëhoqi 1:0 deri në minutat shtesë, me golin e Iljasa Zulfiut, në minutën e 29-të, por Gjilani fitoi penallti në minutën e 93-të. Armend Thaqi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar për rezultatin përfundimtar 1:1.

Kështu, Gjilani shmangu humbjen në fund të ndeshjes dhe u largua nga Klina me një pikë të rëndësishme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb