Vendosni fjalën kyçe....

KAS gjobit 13 parti politike me 7.5 milionë lekë për shkelje në financimin e fushatës së 11 majit


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka miratuar kërkesën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për vendosjen e gjobave ndaj 13 partive politike, për shkelje të konstatuara në raportimin e financave të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Vlera e përgjithshme e gjobave arrin në 7.5 milionë lekë. Sipas gjetjeve të auditimit, shkeljet përfshijnë mosdorëzimin e raporteve financiare, raportimin jashtë afateve ligjore, deklarimin e shpenzimeve pa dokumentacion mbështetës, si dhe mospërputhje mes të ardhurave dhe shpenzimeve të raportuara.

Sanksionet më të larta, nga 2 milionë lekë secila, janë vendosur ndaj Partisë Rruga e Vërtetë Shqiptare dhe Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare. Të dyja subjektet nuk kanë dorëzuar raportet financiare për fondet e përfituara dhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës.

Shkelje në afatet e raportimit janë konstatuar edhe te Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Aleanca Demokracia e Re, Aleanca Konservatore për Shqipërinë dhe Partia Kristian Demokrate.

Për disa prej tyre janë evidentuar edhe probleme teknike me sistemin PERF. Ndërkohë, për Aleancën Demokracia e Re është konstatuar mungesa e raporteve financiare individuale për 186 kandidatë, ndërsa për Aleancën Konservatore mungonte raporti i një kandidati.

Probleme me dokumentacionin financiar janë evidentuar edhe te Partia Lëvizja Atdheu, për shkak të mosdorëzimit të raporteve individuale nga 186 kandidatë, si dhe te Aleanca Kombëtare Shqiptare, ku janë konstatuar përdorimi i llogarive të ndryshme për dhurimet dhe mungesa e raporteve financiare individuale për 186 kandidatë.

Pesë parti të tjera janë gjobitur me nga 100 mijë lekë secila. Për Partinë Balli Kombëtar janë konstatuar shpenzime pa dokumentacion mbështetës dhe transaksione jashtë llogarisë së posaçme të fushatës.

Ndërsa te Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut janë evidentuar transferta financiare që nuk janë pasqyruar në raport, mes tyre një transfertë prej 1.5 milionë lekësh në favor të Partisë Demokratike, si dhe diferenca në të dhënat e deklaruara.

Shkelje të tjera janë konstatuar te Partia Djathtas 1912, ku kandidatët nuk kanë pasqyruar vetëfinancimin prej rreth 1.22 milionë lekësh dhe janë raportuar shpenzime prej rreth 1.17 milionë lekësh pa fatura fiskale. Për Partinë Socialdemokrate janë evidentuar fatura pa NIPT-in e partisë, qira zyrash elektorale të paraportuara dhe mungesë të dhënash për fondet dhe shpenzimet e kandidatëve.

Ndërsa për Nismën Thurje, auditimi ka konstatuar se partia nuk kishte hapur një llogari bankare të posaçme për zgjedhjet. Gjithashtu, janë evidentuar dublime të të ardhurave dhe shpenzimeve në vlerën 1,727,331 lekë, si dhe mungesë të të dhënave identifikuese dhe adresave të dhuruesve.

Vendimi i KAS vjen pas shqyrtimit të kërkesës së Celibashit, e cila u mbështet në gjetjet e auditimit të financave të subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit 2025.